Ndihmoi Ragip Gilën në m*sakrën e Shkodrës, arrestohet 17-vjeçari Danjel Ndreu! Si ra në pranga i riu tre muaj pas ngjarjes

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 17-vjeçarin Danjel Ndreu, i cili ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për bashkëpunim në atentatin e 8 shtatorit në qendër të qytetit, ku Ragip Gila vrau 2 persona dhe plagosi dy të tjerë.

Ngjarja e rëndë solli humbjen e jetës së Armando Palit dhe Liridon Krajës, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso shënjestra e dyshuar e sulmit, dhe kamarierja Meri Kaceri.

I mituri Danjel Ndreu, mësohet se u ndalua nga forcat “Shqiponja” gjatë një kontrolli rutinë, ku iu gjetën disa doza kokaine. Pas shoqërimit në komisariat, rezultoi se ai kërkohej gjithashtu edhe për vjedhjen e një motori në muajin gusht.

Pritet të përcaktohet cilat akuza do të formalizojë Prokuroria e Shkodrës ndaj Ndreut në vijim.

MASAKRA NË SHKODËR

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 shtator në ambientet e një lokali ne qender te Shkodrës, ku autori Ragip Gila, hapi zjarr dhe për pasojë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarieria Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.

Pas të shtënave, autori Ragip Gila u largua nga dera e pasme e lokalit dhe braktisi motorin, duke ecur në këmbë për disa metra.

Më pas, Gila ndaloi një qytetar dhe nën kërcënimin e armës i mori makinën BMW ngjyrë gri, me të cilën u largua me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit.

Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur ai qarkullon me makinën e vjedhur në përpjekje për t’u arratisur. Arriti deri në lagjen Skënderbeg, por gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa mjete të tjera. Pas përplasjes, e braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë në drejtim të lumit Kir.

Next