Një person është shoqëruar nga policia lidhur atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) në Rinas, më 11 nëntor të këtij viti.
Mësohet se personi në fjalë, me iniciale B.Xh. nga Fushë Kruja, do të merret në pyetje si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes, duke ndihmuar hetimin që po zhvillohet nga autoritetet.
Burime bëjnë me dije se ai nuk është i arrestuar, por vetëm është shoqëruar nga forcat e policisë.
Kujtojmë se Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit bashkë me Muçi Shaljanin sapo u kthyen nga Spanja kur iu zu pritë në Rinas. Për të verifikuar lëvizjet e tyre, autoritetet shqiptare i kërkuan informacion Spanjës nëse mund të siguronin ndonjë të dhënë të vlefshme. Por deri më tani hetuesit nuk kanë mundur të marrin ende përgjigje prej tyre.
Pas atentatit në Krujë u zbulua një banesë e kthyer në një bazë të tërë armatimi, ndërsa në kërkim u shpall poseduesi Ylli Zalla. Dyshimet e hetuesve janë se prej andej mund të ketë lëvizur automjeti Toyota i atentatorëve, por pa pasur sërish prova konkrete për fajësi.
4 autorët, 3 prej të cilëve dolën nga makina dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi ishin nisur nga zona e Krujës para se të kryenin vrasjen, nga dhe u larguan sërish pasi kryen krimin.
Në fshatin Halil ata dogjën makinën bashkë me 4 armët e zjarrit brenda, por edhe ekspertiza balistike e tyre nuk ka nxjerrë prova të rëndësishme, për shkak se armët ishin të dëmtuara nga zjarri.
