Lija e majmunit në Shqipëri, Tomini jep detaje: Rast i importuar nga Italia, i riu ka shfaqur simptoma…

Është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit (monkeypox) në Shqipëri. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Eugena Tomini, deklaroi në një intervistë televizive se bëhet fjalë për një rast të importuar, i identifikuar te një 30-vjeçar, i cili kishte udhëtuar në Itali dy javë para diagnostikimit.

Tomini bëri të ditur se pacienti është izoluar në kushte shtëpiake, pasi ka shfaqur simptoma të lehta dhe nuk ka pasur nevojë për hospitalizim. ISHP ka ndërmarrë të gjitha masat për të gjurmuar dhe monitoruar personat me të cilët i prekur ka qenë në kontakt.

“ISHP ka konfirmuar rastin e parë të lijës së majmunit. Rasti është identifikuar gjatë muajit maj dhe është menaxhuar me izolim dhe parandalim të transmetimit. Pacienti është një mashkull 30-31 vjeç nga Shqipëria e mesme, me histori udhëtimi dy javor në Itali përpara diagnostikimit,” u shpreh Tomini.

Simptomat që ka shfaqur i prekur përfshijnë:

Gjendje plogështie

Temperaturë

Dobësi trupore

Skuqje në lëkurë dhe mikro-noduse që mund të shfaqen në zona të ndryshme, përfshirë edhe ato intime.

Tomini theksoi se sëmundja mund të ngatërrohet me patologji të tjera të lëkurës, por rasti është menaxhuar lehtësisht dhe nuk ka patur komplikime që të kërkonin trajtim spitalor.

Në lidhje me mënyrat e transmetimit, Tomini sqaroi:
“Monkeypox mund të transmetohet përmes kontakteve të ngushta lëkurë me lëkurë, raporteve seksuale, por edhe nëpërmjet kontaminimit të objekteve. Secili mund të jetë në risk, ndaj duhet të respektohen masat e higjienës dhe distancimi fizik deri në përfundim të periudhës së izolimit.”

Autoritetet shëndetësore mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Lajme Te nGjashme