Një grua e cila ka shtuar 63 kilogramë për shkak të një çrregullimi të rrallë hormonal, ka zbuluar se si ka arritur që të humbasë peshë në 2 vite e gjysmë.
Është fjala për Hannah Mai, e cila në tetor të vitit 2020 u diagnostikua me sindromën e Cushing. Gjendja shkaktohet nga ekspozimi i zgjatur ndaj nivele të larta të kortizonit.
Disa nga simptomat më të rëndësishme të sëmundjes përfshijnë shtimin në peshë rreth mesit të trupit dhe rreth pjesës së sipërme të shpinës, si dhe një fytyrë të rrumbullakosur.
37-vjeçarja nga Coventry, Warwickshire, iu nënshtrua një operacioni në tru në shkurt të 2021 për të hequr tumorin e hipofizës , e si pasojë i dhanë edhe ilaçe steroide për t’a kontrolluar atë.
“Daily Mail” shkruan se në vitin 2023 Hannah ndërpret këtë kurë dhe vendosi që të humbiste peshën që kishte shtuar gjatë kësaj periudhe.
Ajo peshonte rreth 129 kilogramë dhe Mai ka zbuluar se të bërit pilates çdo ditë, së bashku me një dietë me shumë proteina, e ka ndihmuar që të shkonte ne peshën që dëshironte.
37-vjeçarja ka treguar se nuk ka bërë injeksione, të cilat aktualisht janë në rritje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa duke folur për Ozempic-un, i cili është një ilaç për diabetin, por që përdoret për humbje peshe, Hannah është shprehur:
“Mendoj se Ozempic është i shkëlqyer për njerëzit që kanë nevojë për të dhe për arsye mjekësore. Po i ndihmon vërtetë disa njerëz, por mendoj se nëse i jep vetes një shans, mund t’a shtysh vërtetë veten. Duhet të përqendrohesh te kush dëshiron të jesh”.
Mai ka rrëfyer se ka qenë 30 vjeçe kur vuri re se po shtonte në peshë shumë shpejt. Si pasojë ajo ka shkuar shpesh te mjeku që e pyeste ‘nëse ishte shtatzënë’.
“E dija që diçka nuk shkonte me mua, por njerëzit përreth meje mendonin se kisha ndryshuar dietën dhe më pyetën nëse po haja më shumë. Më pyetën 6 herë nëse isha shtatzënë dhe më thanë se shtimi im në peshë mund të shkaktohej nga hormonet”, ka treguar 37-vjeçarja.
Mai ka shtuar se një ditë është zgjuar në mëngjes me shpinën e përkulur. Ajo ka kërkuar menjëherë në “Google” për simptomat, përfshirë shtimin në peshë. Këto simptoma përkonin me sëmundjen Cushing, e si pasojë menjëherë ka shkruar te mjeku.
Hannah u dërgua në Spitalin Universitar Coventry dhe Warwickshire, ku iu nënshtrua një analize gjaku dhe një skanimi MRI që konfirmuan se kishte sëmundjen.
“U ndjeva e lehtësuar, por e frikësuar kur mora diagnozën”, kujtoi Hannah dhe shtoi: “Kisha thënë për vite me radhë se diçka nuk shkonte me mua”.