Kryedemokrati Sali Berisha ka refuzuar që të jetë deputeti i cili do të drejtojë seancën hapëse të legjislaturës së re në shtator, pasi sipas rregullores, deputeti më i vjetër në moshë merr drejtimin e seancës së parë.
Kryedemokrati Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ditën e sotme foli i prerë duke thënë se nuk do të marrë pjesë në hapjen e parlamentit të ri ndërsa e cilësoi një institucion jo legjitim dhe të kapur nga partia shtet.
Kreu i Partisë Demokratike, u shpreh se nuk mund t’i bëjë vendit të tij një antishërbim të tillë. Sakaq, Berisha nuk u ndal me akuzat ndaj qeverisë sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ndërsa shtoi se rekomandimi i Këshillit të Europës që kërkon ndarjen e partisë nga shteti në Shqipëri, është treguesi më i qartë se Kuvendi aktual është produkt i deformimit elektoral.
“Kaq mjafton kjo frazë për të treguar se ky është parlamenti i partisë-shtet. E si mund ta hap unë atë? Si mund t’ia lejoj vetes të ulem aty? Kurrë.
Një parlament jo legjitim nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund t’i bëj vendit tim një antishërbim të tillë. Harroje. Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, por ky nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare.”-tha Sali Berisha.