U vra nga bashkëshorti/ Përcillet në banesën e fundit 36-vjeçarja Marjola Nakoleci, vajza bën betimin e hakmarrjes

Ditën e sotme ka mbërritur në Korçë ku është kryer edhe ceremonia mortore, trupi i pajetë i 36-vjeçares Marjola Nakoleci e cila u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj disa ditë më parë në Volos.

Familjarët janë në gjendje të rëndë shoku dhe kanë refuzuar të kenë kontakte me median, për shkak të situatës së rënduar emocionale ndërsa vajza e madhe është shprehur se e ka mohuar kategorikisht babain e saj ndërsa ka vijuar se do të marrë hak për gjakun e nënës.

Nga ana tjetër, motrat e Marjolës, në rrëfime jashtë kamerave, kanë hedhur akuza të rënda ndaj bashkëshortit të saj, Pandeli Nakolecit.

Sipas tyre, viktima kishte shpëtuar nga një përpjekje për vetëvarje të kryer nga Pandeli vetëm tre javë më parë, ndërsa dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme, për shkak të xhelozisë dhe dyshimeve për tradhëti.

Të afërmet pretendojnë gjithashtu se burri ushtronte marrëdhënie seksuale pa dëshirën e Marjolës, me qëllim për ta lënë shtatzënë dhe për ta penguar ndarjen. Vetëm një muaj më parë, ajo kishte vendosur një mjet kontraceptiv, pas konsultave me një gjinekolog.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.