Zbulohen lëvizjet e autorit para së të shkrepte armën drejt gjyqtarit Astrit Kalaja! Si u fut brenda me pistoletë në brez! ja akuzat me të cilat përballen tre të arrestuarit

Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë që ndodhi më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit. Autori i dyshuar, 30-vjeçari Elvis Shkambi, ndodhej në sallën e gjyqit si pjesë e palëve të interesuara në një çështje civile, por rezulton se kishte ardhur në ambientet e gjykatës me qëllim të qartë për të kryer vrasjen.

Si hyri në gjykatë me armë autori i dyshuar

Sipas hetimeve, në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, Elvis Shkambi mbërriti në ambientet e Gjykatës së Apelit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Të dy kaluan nëpër pajisjen e skanimit në hyrje, e cila sinjalizoi prezencën e metaleve. Më konkretisht, pajisja ndezi dritat e kuqe, duke paralajmëruar për objekt metalik, me shumë gjasë armën e zjarrit që Elvis Shkambi mbante në brez.

Megjithatë, punonjësi i sigurisë në detyrë, Banush Koxhaj, nuk ndërmori asnjë veprim kontrolli, duke qëndruar i ulur në vendin e tij dhe duke mos ushtruar kontroll fizik ndaj personave apo t’i regjistronte në librin e hyrje-daljeve, siç e parashikon protokolli i sigurisë.

Pas hyrjes në ambientet e brendshme të gjykatës, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi qëndruan për rreth dy orë në hollin e pritjes së publikut, pa ngjallur dyshime.

Momentet para vrasjes, nga seanca gjyqësore në atentat

Rreth orës 15:29, të dy u futën në sallën nr. 3 ku po zhvillohej seanca gjyqësore me objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore”, në të cilën palë ishin Ragip Kurtaj dhe djali i tij Ervis Kurtaj, ndërsa pala e paditur ishte përmbaruesi T. M. dhe të tretë shtetasit Gjon Shkambi dhe Elvis Shkambi,

Në orën 15:35, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja. shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori nga brezi armën e zjarrit dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të plagosur rëndë. Gjyqtari ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

LEXO  Situata e zjarreve në monitorim: Vatrat e zjarrit janë aktive në 7 qarqe të vendit

Pas vrasjes, autori qëlloi edhe drejt palës paditëse Ragip Kurtaj dhe djalit të tij, duke i plagosur të dy, por pa rrezik për jetën.

Dorëzimi i armës dhe arrestimi

Pas të shtënave, autori doli nga salla e gjyqit dhe dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor që ndodhej në një sallë tjetër. Më pas, doli në oborrin e gjykatës ku u neutralizua dhe arrestua menjëherë nga forcat e policisë që kishin mbërritur në vendngjarje.

Hetimet zbuluan se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi nuk tentoi në asnjë moment të ndalonte krimin dhe dyshohet se ka pasur dijeni për planin, duke u konsideruar si shtytës ose ndihmës në vrasje.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, po hetohet për shpërdorim detyre, pasi lejoi hyrjen e autorit të armatosur në ambientet e gjykatës, duke mos ndërhyrë edhe pasi pajisja e skanimit dha sinjal alarmi.

Njoftimi:

Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes.

Së bashku me autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.

Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.

LEXO  “Turistët shpenzojnë më pak”! Ankesat e operatorëve turistikë në Sarandë, të zhgënjyer nga përfitimet në sezonin turistik

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.

Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:

Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

LEXO  Pas aludimeve për një lidhje me Semi Jaupaj, reagon Lumbardhi! Ja çfarë shkruan

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:
• E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
• G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
• B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

Lajme Te nGjashme