Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në detyrë ka vënë në pikëpyetje sigurinë në gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Kriteret dhe procedurat për garantimin e rregullit dhe të sigurisë në gjykata dhe prokurori janë ndryshuar me vendim të Këshillit të Ministrave më datë 10 korrik 2020. Vendimi i firmosur nga kryeministri Edi Rama 5 vite më parë, përcakton se çdo gjykatë dhe prokurori duhet të hartojë politika të brendshme për sigurinë dhe të zbatojë masa konkrete për kontrollin e hyrjeve, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe ruajtjen e dokumentacionit.
Në vendimin e qeverisë termi ‘punonjës sigurie’ nënkupton punonjësit e ngarkuar për të garantuar rendin dhe sigurinë në gjykata e prokurori. Ndërsa siguria e ambienteve nënkupton ndalimin e hyrjes së paligjshme, sjelljes së eksploziveve të armëve ose të sendeve të tjera që mund të përdoren si armë ose çdo aktivitet tjetër të paligjshëm ndaj ambienteve të gjykatës apo prokurorisë. VKM-ja përcakton gjithashtu detyrat e këshillave përkatës dhe të personelit të sigurisë, të cilët janë përgjegjës për mbikëqyrjen e masave dhe informimin e drejtuesve në raste emergjente.
Në VKM përcaktohet se kryetari i institucionit përkatës drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e punonjësit të sigurisë. Kryetari merr masa për mbajtjen e pajisjeve teknike në gjendje funksionale dhe testimin sistematik të tyre. Megjithëse kjo VKM mban firmën e kryeministrit Rama, pas tragjedisë në Gjykatën e Apelit, kreu i qeverisë ka shprehur kundërshtinë e tij për hartimin e politikave të sigurisë nga vetë institucionet e drejtësisë. Sipas Ramës, “vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!”. Balkan Web