Një ditë e trishtë është kjo e kësaj të marte për arsimin në Mat, Kurbin dhe në të gjithë Shqipërinë. Miq, familjarë, kolegë dhe nxënës i dhanë sot lamtumirën e fundit profesorit Xhelal Toçi, njeriut që për dekada të tëra i fali shpirtin shkollës dhe nxënësve të saj.
I lindur në Barbullej të Matit, profesor Xhelali u rrit me frymën e dijes dhe përkushtimit. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme në Gjuhët e Huaja në Tiranë (1972–1976), ai ndoqi studimet universitare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht, ku u diplomua në vitin 1980. Pa u ndalur, pa kërkuar ndonjë rrugë më të lehtë, ai u kthye në vendlindje për të dhënë mësim, fillimisht si mësues anglishteje dhe më pas edhe i gjuhës shqipe. Aty ku kishte nisur rrugëtimin e tij, aty zgjodhi të kontribuonte, me bindjen se dija dhe dashuria për fëmijët janë forca që ndryshojnë botën.
Nga Shëlli e Macukulli, në Dukagjin e Derjan të Matit, e më pas në Laç të Kurbinit, profesori la pas gjurmë të thella. Në vitin 1992, u bë pjesë e stafit pedagogjik të shkollës së mesme “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç, ku breza të tërë do ta kujtojnë si mësuesin e përkushtuar, që nuk lodhej kurrë së shpjeguari, së dëgjuari dhe së kujdesuri.
Për më shumë se 25 vite, ai shërbeu si Specialist i Arsimit dhe Inspektor në Zyrën Arsimore Kurbin, duke dhënë një kontribut të çmuar në formimin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Ishte një pikë referimi për kolegët e tij, një zë i qetë dhe i mençur që dinte të udhëhiqte me profesionalizëm dhe integritet.
Formimi i tij nuk u ndal asnjëherë, pasi për vite me radhë zgjodhi që të merrte pjesë në trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare, që nga Tirana e deri në Kembrixh, ku thelloi njohuritë në metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe edukimit. Ishte pjesë e seminareve për edukimin global dhe të drejtat e fëmijëve në shkollë, duke treguar se arsimi nuk është vetëm dije, por edhe kulturë qytetarie dhe ndjeshmëri njerëzore.
Kontributi i profesor Xhelalit nuk u kufizua vetëm në klasë. Ai ishte aktiv në shoqërinë civile, koordinator në organizata që punuan për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve si “Ndihmoni Fëmijët” dhe “Vizione të Reja”. Ishte autor dhe përkthyes i veprave me vlerë, ndër to edhe përkthimi i romanit “Viti i Emilisë” nga autori amerikan Charles Merrill, si dhe publikimi i punimit “Bordi i Shkollës, Eksperienca në Angli dhe Shqipëri”, duke dëshmuar se pasioni për dijen e ndante me të gjithë.
Sot, me humbjen e profesor Toçit arsimi është më i varfër dhe ikja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që patën fatin ta njohin.