Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në zonën e Borgo Panigale, pasi policia zbuloi armë zjarri, municion dhe pajisje të dyshimta brenda automjetit të tyre.
Të ndaluarit, 34 dhe 37 vjeç, udhëtonin me një makinë tip “Volkswagen Golf” ku u gjet një armë e vjedhur dhe një dritë dore e modifikuar që përdorej për të imituar kontrolle policore të rreme.
Sipas mediave italiane, 34-vjeçari u arrestua menjëherë dhe akuzohet për posedim të paligjshëm të armës, pranim të mallrave të vjedhura dhe përdorim të simboleve zyrtare të falsifikuara.
Ndërkohë, 37-vjeçari tentoi të largohej me forcë në momentin e ndalimit, duke plagosur disa efektivë dhe dëmtuar një mjet të policisë.
Të dy personat ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ishin të përfshirë në veprimtari të tjera kriminale në zonë.