Qeveria ka vendosur të shtojë fondin në dispozicion të bonusit të fundvitit për pensionistët. Nga 37.5 milionë euro që ishte parashikuar në buxhetin fillestar, vlera është rritur në 97 milionë euro. Një shtesë e barabartë me gjysmën e vlerës së rritjes së të ardhurave.
Për herë të tretë brenda këtij viti qeveria ka rishikuar përmes aktit normativ buxhetin e shtetit për 2025-ën. Qeveria ka vendosur të shtojë fondin në dispozicion të bonusit të fundvitit për pensionistët. Nga 37.5 milionë euro që ishte parashikuar në buxhetin fillestar, vlera është rritur në 97 milionë euro. Një shtesë e barabartë me gjysmën e vlerës së rritjes së të ardhurave.
Në një studio televizive, gazetarja e ekonimisë Eliza Gjediku tha se një tjetër rishikim i buxhetit pritet të ndodhë në dhjetor. Po ashtu ajo qartësoi se edhe këtë fundvit, pensionistët që marrin mbi 20 mijë lekë të reja pension, do të marrin 10 mijë lekë të reja bonus, ndërsa pensionistët që do të marrin nën 20 mijë lekë të reja pension, do të marrin 15 mijë lekë të reja bonus.
“Në dhjetor pritet të ketë një tjetër rishikim të buxhetit të shtetit. Në rast se ecuria e të ardhurave dhe disiplinimi i shpenzimeve të institucioneve do të vijojë, edhe rishikimi i buxhetit mund të realokojë përsëri fonde të bonusit që do të shkojnë te pensionistët”,- tha gazetarja Gjediku.
Eksperti Bardh Sejdarasi tha se qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë iniciativën për të reformuar rrënjësisht skemën e pensioneve.
“Çfarë do të bëjmë, me bonuse nuk arrijmë dot që të kemi pretendime. Na duhet patjetër që të bëhet ajo që nuk kanë bërë qeveritë e fundit — reformën e pensioneve. Asnjë qeveri nuk ka arritur ta bëjë të plotë reformën. Sot në Shqipëri punojnë 118 për të paguar 100 pensione. Bonuset shtojnë diçka, por nuk sjellin një pension dinjitoz”, tha Sejdarasi.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, tha se një plagë e madhe ekonomisë së vendit mbetet informaliteti.
“Në rast të parë, qeveria ende ka shumë hesape të hapura me formalitetin, por problemi i informalitetit po ha aq shumë dhe nuk po ulet dot, ngelet në nivele deri në 35–40 përqind. Qeveria nuk është e sigurt si do shkojë puna e emigracionit, sa do të rrudhet popullsia më tej. Nëse nuk shtohen 300 mijë kontribuues në 4 vite, të gjitha ato që kanë premtuar deri tani duhet të shkojnë mbi 4–5 % që të bëjnë rritje pensionesh”,- tha Gjokutaj.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Jani Marka, tha se shteti shqiptar duhet të ndryshojë model të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Kanë 520 mijë pensionistë që jetojnë nën minimumin jetik. Çështja e pensioneve meriton të quhet krizë apo plagë sociale. Është një krizë shumë e madhe, plagë sociale e rëndë, me këtë model është e vështirë të zgjidhet me këtë qeveri. Nëse i gjithë zhvillimi i vendit qendrohet te industria e ndërtimit, nuk rriten pensionet”,- tha Merka