Kryeministri Edi Rama ka bërë për “ujë të ftohtë” kryebashkiakët në takimin për “paketën e Maleve”, duke u tërhequr veshin pothuajse të gjithë të zgjedhurve vendorë, duke i akuzuar se po bëhen pengesë për procesin duke mos dorëzuar hartat e zonave dhe tokave ku mund të realizohet projekti i kaluar edhe me ligj.
Fillimisht ai u kap me kryebashkiakun e Kuçovës, të cilit i vuri në dukje se sikurse të tjerët, nuk i kishte dorëzuar hartat.
“Nëse nuk ke kuptuar paketën, ti nuk ke kuptuar asgjë. Paketa është ilaçi i atyre njerëzve që e kanë tokën dhe nuk e përdorin dot, nuk e kanë pranuar 7501-shin, ose nuk e kanë marrë akoma dokumentin atë që i jep me letër atë që e kanë zakon, duan të investojnë në tokën e tyre, por ngrenë duart lart sepse nuk kanë letrat. Bëmë ligjin, adresuam problemin dhe rezultati nuk ishte i dëshiruari. Për shumë raste ata nuk gjenden, jashtë jashtë vendit, ndodhen diku tjetër apo se nuk duan ata kufitarët ndaj edhe ne ndërtuam këtë paketë. Për t’i dhënë mundësi atyre që kanë tokën për të investuar aty, të kthehen dhe të ndërtojnë”, tha Rama.
Por ai nuk u ndal këtu, teksa shihte kryebashkiakët që komunikonin me njëri-tjetrin për ato që kërkonte kryeministri, Rama ndërhyri dhe “goditi” kryebashkiaken e Dimalit (Ura Vajgurore), Juliana Mema.
“Edhe ti s’e ke sjellë, mos i tund kokën atij aty, mos fol me Xhakollin (i drejtohet kryebashkiakes së Dimalit, Juliana Mema). Unë e di që ti ke trasenë e Leninit që të flasësh me 7 veta (i drejtohet përsëri Memës), por po them se kjo paketë u bë për të lehtësuar totalisht ata që duan të investojnë te toka e të parëve të tyre dhe s’i kanë dokumentet. Vijnë në bashki, shprehin interesin, e presin. Ndaj krijohet mundësia, jepet një kontratë me një çmim një euro, e mundëson kontrata këtë, ai e bën investimin derisa të fitojë edhe të drejtën e tokës në fund të mbarojë procesi”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Ai tha se me fondet e BE-së do të ndihmoheshin të gjithë qytetarët shqiptarë që do investonin në paketën e Maleve. Por ai akuzoi bashkiakët se procesi ka mbetur tek ata.
“E njëjta gjë edhe për fondet e BE-së për këtë projekt, nëse e ke këtë dokument, pa pritje, e menjëhershme, pa burokraci. Procesi nuk mund të ngeci pikërisht aty ku është më e thjeshtë, tek ju, te Bashkitë, që të caktoni zonat dhe t’i hapim rrugën këtij procesi. Tani pse nuk bëhet kjo, çfarë e pengon këtë punë, njerëzit presin t’u hapet rruga, nuk keni hartat e këtyre zonave, vetëm disa bashki kanë sjellë harta, shumë e thjeshtë, do ju lutesha shumë të bëni e para përcaktimin e zonave. Duke përfshirë sa më shumë territore, përveç pikave ku është e pamundur”, vijoi ai.
Dhe në fund Rama u kap edhe me kryebashkiakun e Kukësit:
“Më dëgjon ti aty, kryebashkiaku i Kukësit? Janë të gjithë instrumentet dhe ti s’më ke sjellë akoma hartën. Është fare e thjeshtë”.
Ai u la kohë deri në fund të tetorit të zgjedhurve vendorë që të dorëzojnë hartat e zonave.
