Abuzime me fondet publike në Bashkinë e Tepelenës”- Denoncimi i PD-së: Kandidati i Ramës ka marrë miliona euro

Bashkia Tepelenë, e drejtuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ka treguar se nuk ka pasur asnjëherë në qendër të vëmendjes mirëqenien e qytetarëve, por përvetësimin e fondeve publike në xhepat e drejtuesve vendorë.

Me bekimin e kryetarit të bashkisë, Tërmet Peçi, pas Lorenc Bamit, drejtori i radhës që është kujdesur që taksat e tepelenasve të përfundojnë në xhepat e familjarëve është Arta Shaha, e cila ka mbajtur detyrën e Drejtorit Ekzekutiv për aktivitetet kulturore pranë kësaj bashkie.

Sipas të dhënave zyrtare të Spending Data, bashkëshorti i saj, Çelik Shaha, në konflikt të qartë interesi, ka përfituar fonde publike të prokuruara nga Bashkia Tepelenë për projekte kulturore e të tjera, në një vlerë prej të paktën 154 mijë euro.

Pavarësisht këtyre aferave, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë për këtë bashki një tjetër emër të denoncuar më parë nga opozita, ish-komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.
Dosja e tij në procesin e vetingut ngre dyshime serioze mbi standardet e përzgjedhjes dhe filtrat moralë që duhet të kenë kandidatët për poste publike.

Në lidhje me fondet publike, kompania ‘2T shpk’, në pronësi të vëllait të Gramos Sakos, rezulton sipas Spending Data të ketë përfituar rreth 103 milionë euro nga kontratat publike.

Vetëm nga Bashkia Tepelenë, kjo kompani ka përfituar 1.8 milionë euro për projektet e ujësjellësit në Salari, Nivicë, Rexhinë dhe Peshtan.

Megjithë pagesat e kryera, banorët e zonës denoncojnë mungesën e ujit në Salari dhe Rexhinë, ndërsa në Peshtan ujësjellësi nuk funksionon prej 5 vitesh.

Next