Ajo që bën përshtypje pas këtyre komunikimeve është fakti se personat që përmenden, kanë qenë objektiv i atentateve, edhe pse zyrtarisht sot e kësaj dite janë të pazbardhura. Në 20 Mars të vitit 2021 në Durrës u ekzekutua në atentat mafioz Mond Çekiçi. Një prej emrave më influent në Durrës, që në komunikimet e kundërshtarëve konsiderohej truri i terrenit. Eliminimi i tij nuk u zbardh kurrë. SPAK nuk ka arritur të sigurojë prova që të lidhin grupet e Shijakut, pavarësisht armiqësive të shprehura mes tyre.
“Normale që duhet të kërkohen dosje të caktuara për ngjarje që mund të përfliten edhe perciptazi në SKY por duhen provsa sa më të forta që cështja të ecë e mos të bjerë”, thotë avokati Bledi Meminaj.
Ndërkohë, para periudhës kur datojnë komunikimet e zbardhura në dosjen e SPAK, në Qershor të vitit 2019 i shpëton një atentati në Durrës edhe Plarent Dervishi. Në një komunikim të datës 6 Korrik 2020, Astrit Avdyli alias Balliu, i jep aprovim nipit të tij Aldos për të eliminuar Plarentin, duke e këshilluar të ketë kujdes.
Astriti: “Kujdes, mos u ekspozo. OK. Mos bëj zhurmë. Bjeri fort Lentit. E ke ok nga mua”.
“Të dhënat që mund përfitohen nga përgjime për dosje tjera, nga SKY të gjitha përmblidhen dhe përbëjnë info të dobishëm për policinë e cila duhet që pasi i mbledh ti referojë prokurorit për rifilimin e një cështje të pezulluar”, thotë ish prokurori Eugen Beçi..
Duket se kreu i Bandës së Shijakut Astrit Avdyli, kërkon të japë mesazhe të forta për ata që i quan durrsakët. Kjo duket edhe në një tjetër komunikim me nipin e tij Aldon, teksa e udhëzon për personat që duhet të hapin zjarr ndaj Mond Çekiçit. Pra, u ndan rolet në krim.
Në një tjetër moment, Astriti kritikon ashpër nipin pasi është informuar se ka vënë gjoba, duke i kujtuar se djalin e xhaxhait ja vranë pikërisht për përzierjen me këtë punë të pistë.
“Në datën 26 Shtator 2020 Aleksandër Laho ka filluar të bisedojë me Elidon Avdylin në lidhje me venoddhjen e Lentit duke iu referuar Plarent Dervishit. Aleksandri i shkruan se ka marrë informacion se Plarenti është në Durrës, e kishin parë me një BMË të zezë, të blinduar dhe i ka thënë Elidonit se duhet të prqendrohen te ai, Plarenti, se nëse ikën ai, të tjerët i kap si lepuj”, thuhet në dosje.
Në komunikimet intensive që Aldo Avdyli zhvillon me xhaxhain e tij Astritin, Aleksandër Lahon, Arben Mërkurin dhe Ermir Dedjan flitet për eliminimin e Edmir Bregut, i njohur me nofkën Maloku. Personi i paracaktuar si qitës ishte pikërisht Ermir Dedja. Ai pëson aksident me makinë, duke shtyrë disi planin kriminal të Aldos. Në bisedat e SKY ai thotë se u prishi punë kjo ngjarje pasi mund të shpallej në kërkim. Njëjtë si shtetasi i shpallur në kërkim Enea Kume, vëllai i dpeutetit të PS Loer Kume që thirrej me nofkën Poci. Ai, konsiderohej person me rëndësi për terren, për ndjekjen e kundërshtarëve.
“Në datën 28 Shtator 2020 Astrit Balliu ka biseduar me Elidon Avdylin në lidhje me aksidnetin që kishte bërë Ermir Dedja. Astriti është interesuar për cështjen e Ermir Dedjas dhe për cështjen e Enea Kumes”, vijon dosja hetimore.
Interesi për çështjet e tyre nënkupton ndërhyrje në Prokurori për të zbutur pozitat e anëtarëve të bandës. Në bisedat në vijim mes tyre bëhet me dije se Dedja e mbylli lehtë çështjen, duke qëndruar vetëm 2 orë në qeli, për shkaktimin e aksidentit me pasoja të rënda. Pra, qartësohet se ndëryrjet në prokurori kanë bërë punë…
“Pra, gërshetimi i veprimtarisë kriminale me pastrimin e produkteve çon në zotërimin territorit, shmangien e ligjit dhe apsigurinë që krijon në territor”, thotë Eugen Beçi, ish prokuror
Përgjatë muajit Nëntor 2020, Aldo Avdyli zhvillon komunikime intensive me Arben Mërkurin për sigurimin e kushteve për eliminimin Edmir Bregut. Ai ishte lokalizuar nga Enea Kume.
Planet e tyre rezultuan pa sukses, madje, ai u humbi nga vëzhgimi. Të paktën deri në Janar të vitit 2021, për plot 7 muaj ata kanë kryer vëzhgimet dhe ndjekjen e planit për eliminimin e Bregut.
Ata arritën ta pikasin në 24 janar 2021, ditën kur e ekzekutuan. Pak çaste pas atentatit, Aldo Avdyli i shkruan Enea Kumes se “mbaroi”, duke nënkuptuar eliminimin e objektivit.
Prokuroria a ka kryqëzuar komunikimet intensive për të paktën 7 muaj ndjekje ndaj viktimës me dosjen e themelit. Nga verifikimet, përputhen të gjitha provat e dosjes me komunikimet e tyre. Prokuroria ka verifikuar edhe komunikimet që pasuan ngjarjen, ku binte në sy interesi i lartë i Avdylëve mbi hetimet për ngjarjen.
“Nga tërësia e bisedave të zhvilluara midis Astrit Balliut alias Avdyli, Elidon Avdyli alias Aldo Avdyli, Ermir Dedjas alias Boli dhe Boloraku, Enea Kumes alias Poci, Arben Mërkuri alias Skavo dhe tërmeti, Aleksandër Laho alias Rrumi, dhe Samuel Ndokës rezulton se Edmir Bregu është vrarë për motive hakmarrjeje pasi konsiderohej si anëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Plarent Dervishaj”, thuhet në dosjen e SPAK.
Por, edhe kundërshtarët nuk qëndruan duarkryq. Ekzekutori i Bregut, shtetasi Ermir Dedja do të eliminohej në një atentat mafioz disa vite më vonë, pikërisht në 19 maj të vitit 2025. Ai ishte kthyer nga Gjermania në kohën që iu bë atentat. Sipas informacioneve që qarkullonin, ai prej disa kohësh fshihej, edhe pse nuk dihej publikisht se bënte pjesë në bandën e shijakut. Me eliminimin e Dedjas, ngrihet një pikpyetje e madhe për rrjedhjen e informacioneve. A kishin dijeni kundërshtarët mbi komunikimet e tij në platformën SKY? Kjo, vështirë të thuhet sot.
“Ne kemi vënë re që aty është folur për kohë të gjatë dhe pasi është folur, mund ketë rrjedhur burim info për arsye se kemi parë që periudhën e fundit, autorë të dyshuar që kanë tentuar të vrasin dikë apo organizim të diçkaje më pas mund të kenë ndërruar jetë falë një atentati, jo më larg se vjet a sivjet u ekzkerutua Ermir Dedja që ka qenë në fokus nga atentatorët e tjerë të grupit ndoshta përballë. Kjo do parë se mos kemi të bëjmë me dekonspirim aty në SPK”, deklaron avokati Bledi Meminaj.
Vrasja e Ermir Dedjas nuk është zbardhur sot e kësaj dite, pavarësisht dyshimeve në pistën e hakmarrjes. Të njëjtin fat me mikun e tij Dedja kishte më herët edhe Arben Mërkuri i njohur me nofkën “Maneci”. Ai u ekzekutua në 18 maj të vitit 2022 në qendër të Sukthit, pranë subjektit tregtar të tij. Edhe kjo ngjarje ka mbetur pa autor sot e kësaj dite.
“Ai gup që mbijeton normalisht bën atë që quhet loja, që lëviz e komandon cdo paligjshëmri në atë qytete, qoftë paligjshmëri të veshur me petkun e ligjshmërisë. Jo vetëm te tjetërsimi pronave, por edhe te tenderat e vendimarrjet e ndryshme në rang lokal”, vijon avokati Meminaj.
Transkriptet e shumta të platformës SKY, në dosjen që lidhej me tjetërsimin e tokave në Gjirin e Lalzit, kanë hedhur dritë mbi armiqësinë mes grupeve të Shijakut dhe atyre të Durrësit për kontrollin e territorit. Lufta mes tyre është e njohur prej vitesh. Por, ato që mungojnë në zbardhjen e ngjarjeve të mbetura pa autorë janë provat. Lufta për territor është më e egra mes bandave. Në këtë betejë, duket se kontribut japin lidhjet në nivele të larta të cilat duhen këputur njëherë e përgjithmonë…
