Sekondat para ekzekutimit, informatori me syze që i tregoi atentatorëve shënjestrën

Një i ri me trup mesatar dhe me syze po shikohet nga policia e Tiranës si person që ka ndihmuar autorët për t’u dhënë informacione mbi lëvizjet e viktimës Gilmando Dani dhe të plagosurit Muçi Shaljani (Sheqeri). Ky shtetas është afruar pranë zonës së Rinasit rreth orës 13:00, ku ka zbritur nga një makinë tip “Fiat” që u parkua pranë parkimit të aeroportit.

Nga kamerat e sigurisë rezulton se, sapo ky shtetas është futur brenda, ka parë në monitor avionët që do të zbresnin në ato minuta. Sipas verifikimeve, avioni i linjës Barcelonë–Tiranë ishte vonuar me rreth 15 minuta, dhe në ato çaste ai është drejtuar drejt tualeteve të aeroportit, për t’u kthyer më pas në vendin ku dalin pasagjerët.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se, sapo kanë mbërritur Dani dhe Muçi, të cilët kishin me vete nga një çantë, personi i dyshuar ka nisur menjëherë telefonatat. Ky shtetas i ka ndjekur nga pas dy personat deri sa ata kanë hipur në makinë, ku sipas informacioneve, qëllimi i tij ishte të tregonte se ku do të ulej shënjestra Gilmando Dani. Sapo dy personat kanë hipur në makinë, i dyshuari është larguar me shpejtësi në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes.

“Identifikohet informatori nga brenda Rinasit” – Gazetari: Ishte i maskuar me kapele dhe syze
Ndërkohë, Muçi Sheqeri dhe Gilmando Dani janë larguar nga parkimi, kanë kaluar te trau për të bërë një pagesë, dhe sapo kanë përfunduar pagesën, janë nisur në drejtim të rrethrrotullimit. Sipas policisë, një makinë ka ndaluar përpara automjetit të viktimës, duke qëndruar disa minuta pa lëvizur, dhe besohet se ky ka qenë momenti kur autorët kanë marrë sinjalin për sulm.

Sapo automjeti i viktimës i është afruar rrethrrotullimit, nga një “Toyota” kanë dalë tre persona, ndërsa një tjetër ka qëndruar në makinë. Me tre armë kallashnikov është shtënë në drejtim të automjetit “Benz”, ku sipas policisë, qëllimi ishte pasagjeri në këtë mjet.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, për rreth 5 sekonda askush nuk ka lëvizur nga mjeti, por më pas është afruar një person i maskuar me kallashnikov, i cili ka shkuar te dera e pasagjerit dhe ka qëlluar disa herë nga xhami, përpara se të largohej.

Të parët që kanë ardhur në ndihmë kanë qenë qytetarët dhe punonjësit e policisë së Rinasit. Sapo janë afruar pranë “Benz”-it, i kanë kërkuar shoferit të hapte derën, por kjo ka qenë e pamundur për shkak të plagëve të marra në qafë dhe në kokë.

Mjeti “Toyota” i autorëve rezulton me targa greke dhe, sipas kamerave të sigurisë, ka qëndruar përreth Rinasit deri në momentin e ekzekutimit. Shpresë për policinë mbetet personi informator, për të cilin kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Ndërkohë, po verifikohet nëse mund të përftohet ndonjë e dhënë nga makina, e cila rezulton se i përket një kompanie private.

Next