Një atentat me armë zjarri i ndodhur pasditen e së martës, pranë Aeroportit të Rinasit, përfundoi me vdekjen e Gilmando Danit, i njohur si “besnik” i Emiljano Shullazit, dhe plagosjen e Muçi Shaljanit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, pak pasi të dy kishin zbritur nga një fluturim që vinte nga Barcelona. Sipas të dhënave paraprake dhe pamjeve të sigurisë, atentati është kryer me breshëri automatiku nga një automjet që i kishte ndjekur për disa minuta.
Tre prej autorëve dolën nga një “Toyota” me targa greke, ndërsa njëri qëndroi në mjet. Ata hapën zjarr në drejtim të automjetit ku ndodheshin Dani dhe Shaljani. Gjatë sulmit, njërit prej atentatorëve i është bllokuar arma, por shoku i tij e ka mbuluar duke iu afruar derës së pasagjerit dhe qëlluar disa herë nga xhami, përpara se të largohej me shpejtësi.
Si pasojë, Gilmando Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Muçi Shaljani u qëllua me dhjetë plumba, dy prej të cilëve në kokë. Burime për Neësbomb pranë spitalit të Traumës bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje kritike, i intubuar dhe në luftë për jetën.
Ekspertët kriminalistikë që po ndjekin ngjarjen theksojnë se autorët kanë vepruar me saktësi dhe profesionalizëm, duke përdorur armë të gjata dhe taktika tipike të grupeve të strukturuara kriminale. Po shqyrtohet edhe mundësia që qitësit të jenë ekzekutorë profesionistë të huaj, të lidhur me rrjete të trafikut ndërkombëtar.
Hetimet paraprake tregojnë se automjeti i autorëve ka ndjekur makinën e viktimave që nga dalja e tyre nga terminali i pasagjerëve. Më vonë, “Toyota”-ja e dyshuar u gjet e djegur në fshatin Halil të Fushë-Krujës, me disa armë brenda, që dyshohet të jenë përdorur në atentat. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli në disa zona për identifikimin e autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Kronologjia e atentatit sipas pamjeve të sigurisë
Rreth orës 13:00, një person rreth të tridhjetave, trupmesatar dhe me syze, u pa duke hyrë në ambientet e aeroportit pas mbërritjes me një “Fiat”. Pamjet tregojnë se ai kontrolloi monitorët e fluturimeve dhe u ndal pranë portës ku priteshin pasagjerët nga Barcelona, një fluturim që kishte rreth 15 minuta vonesë.
Pas një qëndrimi të shkurtër në tualete, ai u kthye në zonën e mbërritjeve. Në momentin që Dani dhe Shaljani dolën, personi filloi të kryente telefonata të përsëritura, duke ndjekur me vëmendje lëvizjet e tyre deri te makina. Hetuesit dyshojnë se ai ka qenë informatori i atentatorëve, që sinjalizoi pozicionin e “shënjestrave”.
Pas daljes nga parkimi, automjeti i Danit dhe Shaljanit kaloi në pikën e pagesës dhe u drejtua nga rrethrrotullimi i aeroportit. Në atë moment, “Toyota”-ja e autorëve u pozicionua pranë dhe qëndroi për disa minuta, derisa ndodhi sulmi fatal.
Brenda pak sekondash u qëllua me breshëri kallashnikovi drejt mjetit të viktimave. Më pas, një prej atentatorëve, i maskuar, u afrua dhe qëlloi përsëri përmes xhamit të pasagjerit. Autorët u larguan menjëherë, ndërsa zona u rrethua nga forca të shumta policie.
