Vrasja e 27-vjeçarit shqiptar në Greqi, i cili u gjet i karbonizuar në një zonë të shkretë vijon të mbulohet me mister.
Sipas hetimeve të policisë, Sulo Halili nga Tepelena, ishte i pastër dhe nuk kishte asnjë precedent penal, një fakt që shqetëson autoritetet lidhur me rrethanat në të cilat ai u gjet i vdekur.
Gerasimos Kourouklis, kreu i “Silver Alert” ka zbuluar rrugën që dyshohet se ndoqi 27-vjeçari, e cila tani është nën hetimin e autoriteteve.
“Ai doli nga shtëpia më 4 nëntor, shkoi në Vilia, në Vilia telefonoi gruan e tij, i tha se po priste të takonte një mik dhe më pas telefoni i tij u fik. Të premten, një gjuetar vuri re një makinë të djegur, 27-vjeçari ishte brenda makinës, policia u njoftua dhe që atëherë është bërë identifikimi. U gjet në pjesën e pasme të makinës, ka një plumb dhe makina me sa duket ishte djegur për të zhdukur gjurmët”, tha ai.
Të afërmit e 27-vjeçarit nga Shqipëria po vajtojnë humbjen e tij dhe kërkojnë përgjigje. Xhaxhai i Sulo Halilit thotë se nipi i tij ishte djalë punëtor dhe se nuk kishin probleme me askënd.
“Jemi të shkatërruar. Nuk mund ta kuptoj, as unë si xhaxha. Nipi im nuk foli fare. Të martën pasdite ai iku. Nëse do ta dija se ku po shkonte, do ta kisha ndjekur. As unë nuk e dija. Ai ka dy fëmijë, të vegjël, foshnja e tij është një muajshe. A do (gruaja e tij) ndihmë? Ku do ta gjejmë ndihmën? Dhe fëmijët e tij. Ata janë mes katër rrugëve. Ata nuk kishin probleme, e pyeta edhe vajzën, ajo tha se nuk kishin probleme, nuk tha asgjë. Siç e njoh unë, si nip im, ishte punë, shtëpi, punë, shtëpi, tani nuk e di”, u shpreh xhaxhai i tij.
Çfarë deklaroi gruaja e 27-vjeçarit?
Gruaja e 27-vjeçarit që u gjet i djegur tha se bashkëshorti u largua nga shtëpia duke u drejtuar për në Vilia, Atikë. Ai kontaktoi gruan e tij dhe e informoi se kishte mbërritur në Vilia dhe se po priste një mik të tijin. Miqtë e tij shprehen se ai do të takonte një zonjë që e kishte takuar së fundmi përmes TikTok-ut.
Mjeti i 27-vjeçarit u gjet i parkuar në hyrje të një fushe basketbolli në Vilia, Atikë, ndërsa brenda mjetit u gjetën vetëm cigaret dhe një xhaketë e tij. Njëkohësisht, sipas informacioneve, gruaja e 27-vjeçarit, gjatë dëshmisë së saj para autoriteteve, u pyet për profilin femëror në TikTok, ndërsa tregoi edhe personat që kishin qenë në kontakt me bashkëshortin e saj kohët e fundit.
Gruaja e 27-vjeçarit zbuloi gjithashtu se burri kishte marrë mesazhe kërcënuese tre vjet më parë nga ish-partneri i saj, i cili thotë se ishte xheloz, por ata nuk ishin takuar kurrë. Ajo gjithashtu dorëzoi të dy telefonat e saj celularë.
Familja e tij është tronditur dhe bën thirrje që të gjenden ata që qëndrojnë pas krimit të tmerrshëm që la një burrë të vdekur dhe një familje të shkatërruar.
“Newsbomb.gr” shkruan se 27-vjeçari kishte të njëjtin emër me një kriminel të njohur, çka ngre dyshimet se identiteti i tij mund të jetë ngatërruar me një personazh të botës së krimit. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë saktësisht se çfarë i ka ndodhur 27-vjeçarit, ndërsa hetimet janë përqendruar në Vilia, ku u gjet automjeti i tij i braktisur.
Autoritetet po këqyrin pamjet filmike dhe po zbardhin dëshmitë për të identifikuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe kush e rrëmbeu 27-vjeçarin nga vendi i ngjarjes.
Autoritetet besojnë se i riu nuk është përfshirë në rrjete të organizuara droge ose armësh, ndërsa përjashtohet përfshirja e tij në vrasjen e një krimineli disa ditë më parë.
Për më tepër, sipas policisë, emri i tij është i njëjtë me emrin e një personi shumë të njohur në botën e krimit, i cili është i përfshirë në shumë vrasje.
Megjithatë, sipas avokatit të familjes së tij, Alexandros Papaioannidis, mundësia që 27-vjeçari të jetë vrarë gabimisht sepse kishte të njëjtin emër me një kriminel nuk duket të jetë e vërtetë.
