Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, duket se po përjeton ditë stresuese në drejtimin e Shqipërisë, mes ankthit për një kualifikim të mundshëm në play-off dhe trysnisë që mbart kjo detyrë. Këtë e ka shprehur qartësisht sot, pak minuta para se të fillonte konferenca për mediat në Andorra.
Trajneri i kuqezinjve, ishte i ulur në tavolinë përkrah Berat Gjimshitit, por dukej qartësisht se nuk ndjehej shumë rehat, teksa lëvizte vazhdimisht në pritje të pyetjeve nga gazetarët. Në një moment, ai nis në mënyrë të papritur një bashkëbisedim me kapitenin e Kombëtares.
“Që të bësh trajnerin duhet të jesh i çmendur. Duhet të të pëlqejë shumë”, i kthehet ai Gjimshitit, i cili fillimisht e sheh i habitur për këtë reagim dhe pastaj i thotë duke qeshur: “Më shumë se sa kur ke qenë lojtar?”.
Më shumë, nuk ka krahasim. Është diçka e çmendur, e çmendur. Pastaj niveli i stresit, është brutal. Të mendosh për 25-30 lojtarë… Pastaj është ndeshja, ditët e fundit… Nuk mund të thuash ‘do të festoj’…”, thotë Silvinjo.
Pas pak çastesh, braziliani mundohet të ndryshojë atmosferën me futbollistin. “Është e bukur, por duhet të kesh një pasion të rëndësishëm”, thotë ai për të mbyllur këtu këtë bashkëbisedim që tregon qartësisht nivelin e trysnisë që po ndjen tashmë braziliani në pankinën e Shqipërisë.
