Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Ilir Metës. Raportohet se vendimi u dha nga apeli i posaçëm që e hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën e Metës për ndryshim mase.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin I.M.” dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025″-thuhet në vendim.
Seanca e mëparshme u shty pasi avokatët kërkuan largim nga çështja të gjyqtares Saida Dollani.
