Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Elbasanit, pasi një grua është gjetur e pajetë në lumin Shkumbin pasditen e djeshme.
Viktima, e identifikuar si D. B., rreth 55 vjeçe, kishte disa kohë që ishte strehuar në strehëzën e shëndetit mendor të femrave, një strukturë që i përket Spitalit Psikiatrik dhe ndodhet pranë Qendrës Sociale të Balashës.
Sipas informacionit të parë, gruaja kishte lënë qendrën rreth orës 15:00, dhe pas dy orësh e gjysmë, trupin e saj e gjetën të pajetë në lumin Shkumbin rreth orës 17:30. Dyshohet se ajo është mbytur.
Policia njoftoi se viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se largimi i saj nga qendra dhe shkaqet e ngjarjes janë aktualisht pjesë e hetimit të mëtejshëm.
Grupi hetimor ka nisur mbledhjen e provave dhe dëshmive për të sqaruar dinamikën e këtij incidenti të rëndë.
Ky rast ka ngritur shqetësime lidhur me masat e sigurisë në institucionet e tilla dhe ka rikthyer në fokus nevojën për një mbikëqyrje më të rreptë dhe një kujdes më të madh për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
