E rëndë/ 27-vjeçari humb jetën pasi u shty nga ballkoni, arrestohet i riu italo-shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën Monteverde të Romës, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë. Sipas hetimeve paraprake, Leonardo Fiorini, është shtyrë gjatë një konflikti me shokun e dhomës, David Stojanovic, 25 vjeç, italo-shqiptar, i cili është arrestuar me akuzën e vrasjes.

Të dy të rinjtë, me origjinë nga Isola del Liri, kishin disa ditë që qëndronin në një dhomë të marrë me qira në strukturën turistike. Në momentin e ngjarjes, sipas dëshmive të fqinjëve, mes tyre kishte shpërthyer një debat i ashpër që më pas ishte zhvendosur në ballkon

Sipas të dhënave të para, gjatë përplasjes fizike, 25-vjeçari dyshohet se ka shtyrë Fiorinin, i cili ra nga rreth 12 metra lartësi dhe ndërroi jetë në vend. Stojanovic është gjetur ende në apartament kur mbërritën karabinierët, në gjendje të rënduar psikofizike, dyshohet pas përdorimit të substancave.

Në dhomë u gjet edhe një sasi hashashi. Të dy të rinjtë janë të fejuar, por partneret e tyre nuk ndodheshin në vendngjarje. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve të 118, për Fiorinin nuk pati asnjë mundësi shpëtimi.

Stojanovic u shoqërua menjëherë në komisariat dhe pas marrjes në pyetje, rreth orës 01:30, prokurori urdhëroi arrestimin e tij për vrasje. Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa pritet seanca e konfirmimit të masës para gjyqtarit. Hetimet e karabinierëve vijojnë për të sqaruar motivet e konfliktit dhe dinamikën e saktë të rënies fatale.

Next