Vrasja e biznesmenit Mëhalla, në pranga ish-ortaku dhe roja i karburantit! DETAJE të reja nga atentati

Detaje të reja dalin nga ekzekutimi i Mondi Mëhallës alias Edmond Hyka, i cili u qëllua me plumb në kokë.

Mësohet se janë arrestuar ish-ortaku i biznesmenit dhe roja i karburantit, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje. Ish-ortaku i viktimës është vendosur në pranga për shkak të konflikteve që ka pasur me 43-vjeçarin, ndërsa burimet informojnë se ndaj tij deri më tani s’ka ndonjë provë konkrete.

Ndërkohë roja i karburantit në pronësi të viktimës akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Hetuesit dyshojnë se ai ka qenë në dijeni të rrethanave para ose pas ngjarjes, por nuk ka njoftuar autoritetet.

Sot pritet gjithashtu të mbahet dhe ceremonia mortore për 43-vjeçarin, që do të zhvillohet nën masa të shumta sigurie, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve po vijojnë intensivisht.

Kujtojmë se ditën e djeshme Naldo Gjini u shoqërua nga policia dhe po verifikohet në kuadër të hetimeve për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla. Ai dyshohet se ka përdorur gjatë ditëve të fundit automjetin tip Audi, që është identifikuar nga hetuesit si makina e përdorur në ngjarjen kriminale.

Naldo Gjini është fiksuar nga kamerat e sigurisë në Rrugën e Kombit, në momentin kur kryente pagesën te trau i autostradës, duke lëvizur me të njëjtin automjet. Ndërkohë, policia ka kryer kontrolle në banesën e tij, me qëllim mbledhjen e provave të mundshme që lidhen me çështjen.

Next