Marselo Arani, është një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e ndodhur të dielën, të biznesmenit Mondi Mëhalla.
32-vjeçari, i cili ishte nën masën e arrestit të shtëpisë për akuzën e pastrimit të parave, ka qenë një emër i njohur për autoritetet shqiptare.
Në muajin Qershor të këtij viti, Aranit iu sekuestruan 14 pasuri, për shkak se dyshohet se janë produkt i veprimtarisë së tij kriminale.
Arani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Gjatë hetimeve është provuar se ai ka kryer veprimtari kriminale në territorin italian.

Edhe pse do të duhej të ishte nën masën e arrestit të shtëpisë, në rrethana që nuk dihen ende, Arani i ka shpëtuar mbikëqyrjes policore, duke u bërë një prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e biznesmenit Mëhalla.
Personi tjetër që dyshohet si bashkëpunëtor, është shtetasi Amarildo Kola me banim në qytetin e Laçit.

