Arrestohet në Dubai 36-vjeçari shqiptar, akuzohet se pastronte miliona euro nga grupi kriminal i Elbasanit

Një 36-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Armis Stafa alias Armees Stava, është arrestuar në Dubai, pasi akuzohet për pastrim parash të një grupi kriminal në Elbasan.

Falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes Interpol Tiranës, ai u kap gjatë operacionit “The Wanted” me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2024 i ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, në vitin 2022, Armis Stafa dyshohet se ka pastruar para të përfituara nga veprimtari kriminale nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, në bashkëpunim me shtetasit F. G. dhe H. B. (vëllezër).

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet në Abu Dhabi për finalizimin e procedurës së ekstradimit të tij në Shqipëri.