Elmas Bogdani
Advertisements
Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha ka reaguar për vrasjen e Kosta Trebickës, i cili humbi jetën në 12 shtator të vitit 2008. Trebicka ishte një biznesmen shqiptar, i cili u mor me çështjen e shitjeve të armëve të Gërdecit dhe vdiq në rrethana të paqarta.
Advertisements
Ndërkohë përmes një statusi në rrjetet sociale, gazetari Artan Hoxha shkruan se Kosta Trebicka ishte njeriu që tregoi lidhjen kriminale të qeverisë Berisha, familjarëve të tij, institucioneve shtetërore dhe një grupi biznesmenësh klientë të preferuar.
Madje Gazetari shprehet se Kosta Trebicka është viktima e 27 e tragjedisë së “Gërdecit”, të cilin nuk e vrau shpërthimi i madh i barutit në depot e demontimit, por e vrau shpërthimi i skandalit të madh të qeverisë Berisha. Kufoma e biznesmenit u gjet e hedhur në një rruge rurale në periferi të Voskopojës, në rrethana që nuk u hetuan kurrë në mënyrë shteruese.
Ja reagimi i gazetarit Hoxha
“Kosta Trebicka, meriton të nderohet, si dëshmori që denoncoi korrupsionin qeveritaro-politik. Më 12 shtator 2008, humbi jetën (u vra) në rrethana misterioze Kosta Trebicka. Trebicka ishte biznesmeni qe beri ripaketimin e municioneve prodhim kinez të Ushtrisë Shqiptare, të cilat iu shitën ushtrisë Afgane nëpërmjet një tenderi prej 300 milionë dollarësh të Pentagonit. Për të gjithë ata politikanë, që do ta marrin mundimin sot të vizitojnë banesën e Azem Hajdarit, të ish-vilat Gjermane, zamet e kanë të ngjiten edhe nja 70-80 metra më lartë, ku ndodhet banesa e Kosta Trebickës. Dëshmitari kyç i skandalit të Gërdecit, njeriu që denoncoi korrupsionin qeveritar. Ishte Kosta Trebicka, njeriu që tregoi lidhjen kriminale të qeverisë Berisha, familjarëve të tij, institucioneve shtetërore dhe një grupi biznesmenësh klientë të preferuar. Si sot 16 vite më parë, kufoma e Kosta Trebickës u gjet e hedhur në një rruge rurale në periferi të Voskopojës, në rrethana që nuk u hetuan kurrë në mënyrë shteruese.
Njeriu që tentoi të luante “te penduarin”, pasi kishte qenë dhe vetë, pjesë e trafikut të municioneve të Ushtrisë Shqiptare, heshti për gjithmonë, duke marrë me vete gjithë sekretet që ne ndoshta nuk do t’i mësojmë kurrë. Por edhe me aq sa bëri, Kosta Trebicka meriton të kujtohet dhe të nderohet sot, për kurajon që pati në ekspozimin e korrupsionit qeveritaro-politik. Korrupsion kriminal, i cili u kushtoi jetën 26 shqiptareve të pafajshëm dhe rrafshoi nga faqja e dheut qindra e mijëra banesa afër vendit të shpërthimit…. Në të vërtetë, Kosta Trebicka është viktima e 27 e tragjedisë së Gërdecit, të cilin nuk e vrau shpërthimi i madh i barutit në depot e demontimit, por e vrau shpërthimi i skandalit të madh të qeverisë Berisha… Sot është fiks dita për të kujtuar ata që thanë të vërtetën dhe për të mos i harruar kurrë, ata që e varrosën të vërtetën…”, shkruan Hoxha në “Facebook”.
Tragjedia e “Gërdecit” dhe vdekja e Trebickës, çfarë ka ndodhur?
Biznesmeni shqiptar me nënshtetësi amerikane ndërroi jetë në rrethana misterioze mesditën e 12 shtatorit 2008 në rrugën që lidhte Lekasin me Voskopojën. Kosta Trebicka ishte larguar nga Tirana një ditë më parë, kishte ndaluar në Elbasan dhe në mbrëmje vonë mbërriti në Voskopojë. Trebicka u bë i njohur për publikun kur denoncoi në media aferën korruptive mes kompanisë AEY dhe MEICO-s për tregtinë e armëve. Denoncimi i tij mbi këtë aferë u bë në televizionin Neës 24, disa ditë pas shpërthimit të fabrikës së demontimit “Alba Demil” në Gërdec më 15 mars 2008. Biznesmeni 50 vjeçar tregoi para kamerave skemën e aferës me armët e ushtrisë shqiptare dhe sasinë e parave që supozohet se kishin përftuar personat e implikuar në këtë aferë. Mirëpo, ky denoncim i kushtoi Kosta Trebickës kërcënime të shumta për jetën. Ndaj edhe kur mbërriti në Voskopojë një natë para vdekjes, biznesmeni u akomodua në hotel “Akademia” dhe në regjistrin e klientëve u regjistrua me emrin Artan, dhe jo Kosta Trebicka.
Rreth orës 05:30 të mëngjesit, të datës 12 shtator 2008, Kosta Trebicka është parë nga roja i hotelit, Jorgo Çelniku, duke dalë nga parkingu me mjetin e tij. Më pas, rreth orës 06:30, ai është parë duke gjuajtur në vendin e quajtur “Repetitori”, në fshatin Lekas. Në mesditë, rreth orës 12:30, ai i ka bërë telefonatën e fundit me shokun e tij Ervin Hasko, të cilit i ka thënë, veç të tjerash, se ishte për gjueti në Voskopojë dhe se kishte vrarë dhjetë thëllëza dhe se kishte akoma thëllëza të tjera dhe i ka thënë se “po kthehem nga gjuetia dhe po shkoj të ha drekë në Voskopojë”. Prokuroria e Korçës njoftoi muaj më vonë se duke marrë parasysh të gjitha provat e siguruara, si këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimit mjekoligjor dhe balistik, aktet e tjera tipografike dhe daktilostraike, kishte arritur në konkluzionin se shtetasi Kosta Trebicka kishte humbur jetën si rezultat i aksidentit rrugor. Pavarësisht hetimeve dhe rezultateve të nxjerra prej tij nga Prokuroria e Korçës, vdekja apo vrasja e Kosta Trebickës është rrethuar me mister.
Makina e tij u përmbys në rrugë të drejtë dhe trupi kishte mbetur vertikal në rrugë. Personat e parë që mbërritën pranë tij, thonë se biznesmeni ishte ende gjallë dhe kishte dashur t’ju thoshte diçka, por kishte një plagë të madhe pas koke dhe nga goja i dilte gjak. Dyshimet për vdekjen e tij shtohen dhe më shumë kur mendon për korrupsionin qeveritar që ai denoncoi pas tragjedisë së Gërdecit. Njeriu që tentoi të luante “të penduarin” sepse kishte qenë dhe vetë pjesë e trafikut të municioneve të Ushtrisë Shqiptare, heshti përgjithmonë, duke marrë me vete gjithë sekretet e aferës së demontimit të municioneve dhe shitjen e tyre në Afganistan.