Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) në varësi të Ministrisë Infrastrukturës që drejtohet nga ministrja Belinda Balluku, është sërish në qendër të një skandali të madh që përfshin projektin e rrugës Korçë-Ersekë. Ky segment 35 kilometra i gjatë, që ka shpenzuar më shumë se 80 milionë euro nga fondet publike, është kthyer në një katrahurë, me plasaritje dhe shembje të përsëritura, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Për më tepër, shtesa e mëtejshme e 4.3 milionë eurove për riparime, në një kohë kur rruga është akoma e deformuar, ngre dyshime të thella mbi menaxhimin e fondeve dhe mundësinë e korrupsionit.
Advertisements
Pas çdo dështimi, siç është shembja e datës 17 shkurt 2024, Ministria e Infrastrukturës ka vazhduar të miratojë shtesa për firmat ndërtuese, pa një hetim të plotë apo masat e nevojshme ligjore. Për ironi, firma që ka marrë dhe tenderët e mirëmbajtjes është po i njëjti Agim Kola, i lidhur me figura të njohura të Partisë Socialiste, si ish-deputeti Ndue Kola. Por ky skandal tregon se ndërsa qytetarët paguajnë, ata që janë të lidhur me pushtetin vazhdojnë të pasurohen, pa asnjë ndëshkim. Ministrja Balluku, e cila është përgjegjëse për këtë projekt, duhet të mbajë përgjegjësi për menaxhimin e dobët të fondeve dhe dështimin në sigurinë e infrastrukturës. Rrugët që kanë shpenzuar miliona euro tani janë një kërcënim për jetën e qytetarëve dhe një simbol i dështimit të shtetit shqiptar.
Advertisements
Në skajin më të largët në juglindje të Shqipërisë, atje ku agimi vjen më parë në vendin tonë, dy Agim Kolat po marrin miliona euro për një rrugë vetëm 35 kilometra, që lidh Korçën me Ersekën. E filluar vite më parë, kostoja totale ka shkuar në 80 milionë euro, teksa tashmë po hidhen të tjera miliona për ta mirëmbajtur. Autoriteti Rrugor Shqiptar, si pronari me letra i kësaj rruge, ka miratuar disa shtesa fondesh, madje edhe për shembjen e ndodhur në datë 17 shkurt 2024, në afërsi të Qafës së Qarrit. Firma fituese e të gjitha lotëve, ajo që ka marrë mbi 80 milionë euro për ndërtimin, ka përfituar edhe shtesën e fonteve në vitin 2024, me një vlerë 4.3 milionë euro.
Faksimile: Pronari i firmës ANK që fitoi 80 milionë euro është z. Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS-së Ndue Kola
Aktualisht, pronari me letra i firmës ANK, e cila fitoi të gjitha tenderët e ndërtimit të segmentit Korçë – Ersekë, është Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS-së Ndue Kola. Me vendime të befta të Autoritetit, pavarësisht se drejtorët ndërroheshin, ai ka marrë të gjitha qindarkat e akorduara nga qeveria, për segmentin të gjatë 35 kilometra.
Loti i parë u bë vite më parë dhe kushtoi 15 milionë euro. Loti i dytë i gjatë 17 km u bë me një vlerë rreth 50 milionë euro. Më pas u modifikua kontrata dhe u shtua një vlerë prej 5 milionë euro. Ndërkohë, që kostoja totale e parashikuar ishte rreth 80 milionë euro. Tenderi për ndërtimin e kësaj rruge, i lotit të dytë nga qafa e Qarrit drejt Ersekës, është finalizuar në vitin 2022, firma fituese kishte një kohë prej 24 muajsh për të përfunduar këto punime, nga pjesa e mbetur e rrugës Korçë – Ersekë, deri në pjesën fundore, në afërsi të qytetit të Ersekës. Ndërtimi i këtij loti duhet të kishte përfunduar në muajin mars të vitit 2024. Por shembja dhe problemet e tjera sollën zvarritjen.
Në datën 17 shkurt 2024, në afërsi të Qafës së Qarrit, u shemb një pjesë e rrugës. Institucionet ligjzbatuese filluan një hetim, por deri më tani janë pyetur një mori zyrtarësh dhe asnjë vendimmarrje. Por, ARRSH-ja në këto kohë shtoi fondin, duke i dhënë firmës ANK edhe një shumë prej 432 milionë lekësh të rinj. Me këto para u rregulluan një pjesë të shembjes, teksa aktualisht automjetet kalojnë në këtë segment, të riparuar. Ndërkohë, edhe pas riparimit, rruga ka pësuar deformime dhe plasaritje. VoxNews ka siguruar disa foto dhe video, në afërsi të Qafës së Qarrit, ku duken plasaritjet e të gjithë segmentit. Një situatë e frikshme, qoftë për kalimtarët apo edhe për institucionet, të cilat duhet të parandalojnë ndonjë tragjedi. Në këto foto duket muret mbajtëse apo edhe asfalti i plasaritur, në shumë vende afër të njëjtit vend që u shemb. Por, çfarë bën Autoriteti Rrugor Shqiptar për rregullimin e kësaj situate?!
Faksimile: Njoftimi i ARRSH-së për mirëmbajtjen e segmentit Korçë – Ersekë, rruga e re dhe e vjetër
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Autoriteti Rrgor Shqiptar ka finalizuar disa ditë më parë një tjetër tender për këtë segment. Autoriteti shkruan se bëhet fjalë për segmentin “mirëmbajtje me performancë Korçë – Erseë, rruga e re dhe dega e Qafa e Qarrit – Ersekë, rruga e vjetër”. Mësohet se fondi limit i kësaj marrëveshje kuadër me një afat 4 vjeçar është 192 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro. Pra, pasi u hodhën plot 80 milionë euro për ndërtimin, kostoja shtohet me mirëmbajtjen.
Faksimile: Pronar i firmës RSM është një tjetër person i quajtur Agim Kola
Por, kush do t’a mirëmbajë këtë segment? Për ironi të fatit, pronari i firmës fituese të tenderit të mirëmbajtjes RSM quhet Agim Kola. Një emër i njëjtë me ndërtuesin, por bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm. Nëse Agimi i parë mori 80 milionë euro për ta ndërtuar, Agimi i dytë e ka filluar me një kosto prej 2 milionë eurosh, por duhet të ketë kujdes nga këto plasaritjet, të cilat mund të shkaktojnë ndonjë tragjedi