Greqia paraqiti masa për të rritur normën e ulët të lindshmërisë, duke filluar nga kuponë dhe përfitime për kujdesin e fëmijëve deri te lehtësimet tatimore për prindërit e rinj, megjithatë ekspertët dyshojnë për efektivitetin e planit. Greqia ka një nga normat më të ulëta të fertilitetit në Europë, një gjendje demografike të rëndë e shkaktuar nga një krizë ekonomike prej 1 dekade, emigrimi dhe ndryshime në qëndrimet e të rinjve. Kryeministri e ka cilësuar këtë një kërcënim kombëtar dhe një “bombë me sahat” për pensionet.
Advertisements
Aktualisht, Greqia shpenzon rreth një miliard euro në vit për masa për fëmijët. Megjithatë, në vitin 2022 regjistroi numrin më të ulët rekord të lindjeve. Masat e shpallura të enjten nga ministritë e Familjes, të Brendshme, Financave dhe Shëndetësisë përfshijnë lehtësime tatimore për prindërit e rinj, kuponë për kujdesin e fëmijëve, një rritje të pagës minimale nga viti 2025, rritje pensionesh dhe reduktim të kontributeve sociale. Por, ekspertët e demografisë dhe madje edhe zyrtarët qeveritarë e pranojnë që problemi është shumë më i thellë.
Advertisements
“Është e qartë se problemi demografik … nuk mund të zgjidhet thjesht me përfitime dhe incentiva financiare,” tha zëvendësministri i Financave Thanos Petralias.
Petralias tha se zgjidhja e problemit kërkon gjithashtu përmirësimin e sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë, rritjen e të ardhurave dhe kushte më të mira për balancimin e jetës dhe punës. Normat e ulëta të lindshmërisë janë një problem për qeveritë në të gjithë Europën, ku vende si Franca, Italia, Norvegjia dhe Spanja kanë shpenzuar miliarda euro për masa për fëmijët, por pa rezultat të dukshëm. Masat janë pjesë e një plani më të gjerë për të kundërshtuar trendin e rënies së normës së lindshmërisë në Greqi, që zyrtarët e kishin se do të shpallej në maj, por që është shtyrë për më vonë gjatë këtij viti.
“Këto masa nuk do të kenë ndikim dramatik në lindje,” tha Byron Kotzamanis, një ekspert i njohur i demografisë në Greqi.
“Plani duhet të përfshijë edhe dhënien e incentivave për të rinjtë që të qëndrojnë në Greqi dhe tërheqjen e atyre që kanë emigruar”./ Monitor