Një laborator kokaine u zbulua nga policia dhe SPAK në fshatin Qerekë, ndërsa në pranga u vunë 10 persona, mes tyre edhe 3 shtetas të huaj, kolumbianë dhe venezuelianë.
Advertisements
Ndërsa hetimet vijojnë, SPAK ka në ‘duar’ informacione të shumta lidhur me veprimtarinë e grupit, pasi personat ishin në vëzhgim prej muajsh.
Advertisements
Kokaina ishte e shkrirë në lëkurët e bagëtive dhe përmes proceseve kimike realizohej ndarja, ndërsa operacioni u finalizua në momentin e mbërritjes së ngarkesës së dytë të lëkurëve dhe që do të niste përpunimi, bashkë me sasinë e parë që kishte mbërritur në shtator.
Lëkurët e bagëtive vinin në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine. Rreth dy javë më parë një grup i prokurorëve të SPAK udhëtoi drejt Brazilit. Në përbërje të grupit ishin edhe Altin Dumani, kreu i SPAK, dhe Adnan Xholi, drejtuesi i seksionit kundër krimit të organizuar, që sot po drejtojnë hetimet lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në Qerekë.
Lidhur me vizitën e anëtarëve të SPAK në Brazil u tha se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë lufta kundër bandave shqiptare, të cilat kanë krijuar rrjete të gjerë të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës.
Nuk dihet nëse kjo vizitë në Brazil dhe finalizimi i operacionit për laboratorin e kokainë kanë lidhje, por nuk përjashtohet mundësia që prokurorët shqiptarë të kenë marrë informacione të vlefshme për linjat e trafikut nga kolegët e tyre brazilianë.