‘Krishti u ngjall!’, besimtarët katolikë dhe ortodoksë kremtojnë së bashku Pashkët

Besimtarët e krishterë në mbarë Shqipërinë festuan Pashkët, një ndër festat më të rëndësishme të besimit të tyre, përmes meshave të zhvilluara në të gjitha kishat katolike dhe ortodokse të vendit.

Advertisements

Në Tiranë, besimtarët katolikë u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit”, ku mesha solemne u drejtua nga peshkopi Arjan Dodaj. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi rëndësinë e kësaj vigjiljeje, duke e cilësuar si një lutje pranë Varrit të Krishtit dhe simbol të shpresës së përbotshme. Ai shtoi se “nga druri i kryqit varet fati i botës” dhe se kjo meshë po këndohet njëkohësisht në çdo cep të globit.

Advertisements

Edhe besimtarët ortodoksë u mblodhën në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku mesha u udhëhoq nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Në fjalën e tij, ai përcolli një mesazh shprese dhe uniteti, duke theksuar se dashuria e Zotit është më e fuqishme se çdo urrejtje dhe se ringjallja sjell ripërtëritje shpirtërore për të gjithë.

Pashkët simbolizojnë ringjalljen e Krishtit dhe triumfin mbi vdekjen, si një rikthim i shpresës dhe një thirrje për reflektim dhe rilindje shpirtërore. Festa e sivjetshme pati një domethënie të veçantë pasi të dy besimet e kremtuan në të njëjtën ditë, një rast që kishte ndodhur për herë të fundit në vitin 2017 dhe do të përsëritet sërish në vitin 2028.