Pas ditëve nën dominimin e reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të territorit, moti do të përmirësohet gjatë fundjavës. Në një lidhje direkte sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se në orët e paditës të sotme kemi përmirësim gradual të kushteve të motit, duke bërë që e shtuna dhe e diela të jenë kryesisht nën mbizotërimin e kthjellimeve. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që në zonat e thella malore gjatë orëve të mbrëmjes të kemi rishfaqje të flokëve të dëborës.
Advertisements
Hakil Osmani: Ditën e sotme mbetet situata nën kontroll përsa i përket reshjeve sepse pritet të jenë të dobëta, do të jenë të përkohshme duke mos krijuar problematika. Kjo situatë me reshje shiu në një pjesë të mirë të territorit shqiptar do të jetë të paktën deri orët e pasdites, pastaj kemi përmirësim gradual të kushteve të motit. Në orët e vona të mbrëmjes, pritet që zonat veri-perëndimore të kenë përmirësim të kushteve të motit dhe më pas i gjithë territori shqiptar duke bërë që deri në orët e vona të natës të kemi pothuajse 90% të territorit shqiptar nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Në zonat e thella malore, gjatë orëve të mbrëmjes pritet të kemi rishfaqje të flokëve të dëborës dhe më të dukshme pritet të jenë në skajin jug-lindor të territorit shqiptar.
Advertisements
Duke filluar nga dita e nesërme kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të motit në të gjithë vendin duke bërë që të jemi nën ndikimin e kthjellimeve, ndërsa vranësirat më të dukshme do të bëhen ditën e dielë në pjesën e dytë të ditës dhe më të fokusuara mbeten në zonat veriore. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell. Temperaturat në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë pësuar një rritje të lehtë të tyre, duke bërë që minimumet të jenë në minus 1 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa në maksimume jo më shumë se 17 gradë Celsius në rang territori i kemi ditën e sotme.
Dita e shtunë dhe dita e dielë sjell rënie të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale të zbresin në minus 2 apo minus 3 gradë Celsius, gjë që bën që në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes së vonë, akset rrugore kryesisht në zonat malore, shtohet mundësia e pasjes të ngricave dhe duhet pasur kujdes. Në orët e mesditës do të kemi rritje të temperaturave të ajrit duke qenë se do të kemi rrezatimin e diellit në një pjesë të mirë të orëve të ditës. Maksimumet pritet të shkojnë deri në 20 gradë Celsius në rang territori.