Rama: ‘Unë do rri edhe pak, sepse do fus Shqipërinë në BE!

Kryeministri Edi Rama ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet për të çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se misioni i tij historik do të realizohet gjatë mandatit të tij në pushtet.

Advertisements

Në një reagim ndaj komentuesve, Rama theksoi se ambicia për të bërë Shqipërinë anëtare të BE-së është arritja më e madhe dhe e nevojshme për vendin. Ai shpjegoi se ky është qëllimi kryesor i PS, pavarësisht kritikave të kundërshtarëve.

Advertisements

“Nëse sot ti, Fatjon, dhe të tjerë flasin për luftën ndaj korrupsionit dhe për ministra të akuzuar, e di pse erdhi kjo ditë? Sepse e solli PS, e sollëm ne, ambicia jonë për të hyrë në BE. Lërini broçkullat dhe mos u fokuso te këneta dhe llumi i saj, fokusohuni tek kjo,” tha Rama.

Kryeministri shtoi se është e rëndësishme që të mos humbasim kohë me fjalë dhe akuzat e paqena, por të përqendrohemi në misionin historik që është të bëjmë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.

“Unë do rri edhe pak, sepse do e përmbushim misionin. E kemi krijuar këtë fat dhe nuk mund të luajmë me këtë. Do ta realizojmë, është momenti për të marrë hak për breza shqiptarësh që kanë kaluar dhe për të përmbyllur këtë proces,” tha ai.

Rama përmendi gjithashtu se ndryshimi është i madh mes të pasurit pasaportë shqiptare dhe pasaportë të BE-së, duke theksuar se pasaportat europiane ofrojnë mundësi të pafundme për qytetarët shqiptarë.

“A është ndryshe të lëvizësh me pasaportën shqiptare dhe të kesh një pasaportë të BE-së? Të gjitha këto janë mundësi që do t’i japim shqiptarëve. Fjalët dhe akuzat janë humbje kohe, turp për ata që i përdorin, dhe është koha që të fokusohemi te gjërat që vlejnë,” përfundoi Rama.

Ai gjithashtu ftoi shqiptarët të mendojnë si patriotë dhe si pjesë të një procesi historik që do të çojë vendin drejt integrimit europian, duke e cilësuar këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë.