SKANDALI/ “Zona pranë Pediatrisë, Alliasi, Fresku, Astir, në situatë ALARMANTE për largimin e plehrave”! Landfilli i Sharrës në emergjencë mjedisore, s’ka vend më

by editor

Në shumë zona të kryeqytetit, si: zona pranë Pediatrisë, Alliasi, Fresku, Astir, tashmë prej ditësh paraqitet një situatë emergjente për largimin e plehrave. Në shumë lagje të kryeqytetit shikon kazanë të tejmbushur me mbetje familjare, të cilat vonojnë me ditë të tëra për largimin e tyre.

Advertisements

Kjo situatë e rëndë ekologjike me kazanë të tejmbushur, që përhapin erë të pakëndshme në një zonë të kryeqytetit, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është krijuar nga braktisja e punës së operatorit privat, i cili po bën presion për zgjatje të kontratës.

Advertisements

Z.Veliaj sqaroi gjatë një aktiviteti për inspektimin e punimeve për shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” se tashmë, Bashkia e Tiranës ka marrë në administrimin e saj, përmes kompanisë publike Eco Tirana, të gjitha zonat e pastrimit të qytetit, shërbim që deri dje kryhej nga kompanitë private, të cilat ditët e fundit e kishin braktisur punën, si formë presioni për zgjatjen e kontratës.

“Tirana është e ndarë në 5 zona: zona qendrore dhe zonat në veri, jug, lindje dhe perëndim. Në një nga zonat, operatori privat ka lënë detyrën. Një detyrë, të cilën duhet ta linte në datën 1 nëntor, siç e parashikon kontrata.

Por, duke mos pasur interes që ta vazhdojë punën pas 1 nëntorit, e ka lënë që tani. Kjo shpjegon gjithë histerinë e pastrimit për një zonë të Tiranës. Megjithatë, jam kalitur t’i duroj edhe të sharat. U bënë 9 vjet që dëgjoj gjëra të tilla, por nuk do të dorëzohem kurrë, siç nuk jam dorëzuar kurrë ndaj presionit të askujt, as të ndonjë operatori që, duke lënë plehrat pa mbledhur, jashtë kushteve të kontratës, mendon se bën presion që Bashkia e Tiranës të mos e marrë zonën nën kontroll. Përkundrazi, na e ka shtuar zellin që bashkia ta marrë zonën nën kontroll edhe më parë”, deklaroi z. Veliaj.

Ai paralajmëroi se për moszbatimin e kontratës nga privati, Bashkia e Tiranës do t’u drejtohet organeve të gjyqësorit.

Ndërsa sipas ekspertëve, situata është krijuar nga ezaurimi i kapaciteteve depozituese në landfillin e Sharrës. Pra, sipas tyre, në këtë landfill ku depozitohen mbetjet edhe të Durrësit dhe të Kavajës, nuk ka vend për groposjen e tyre.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim të ezaurimit të kapaciteteve të landfilleve dhe arsyeja kryesore është se nuk zbatojmë ligjin, nuk parandalojmë gjenerimin e mbetjeve, nuk ripërdorim, nuk riciklojmë, për arsye të politikës së mbrapshtë me incenerimin, ku të gjitha mbetjet me një rrymë (pra me një kosh) duhet të shkonin tek inceneratorët”, pohon Lavdosh Ferruni.

Ndërsa për ish-sipërmarrësin e riciklimit të mbetjeve, z. Iljaz Mehmeti, situata është emergjente jo vetëm në landfillin e Sharrës, por edhe në Elbasan, ku ka nisur djegia në sipërfaqe e mbetjeve.

Në venddepozitimin e Sharrës vijojnë të hidhen të gjitha llojet e mbetjeve që më pas groposen me kosto financiare dhe mjedisore të bashkive, përveç pagesës për inceneratorin që vijon të bëhet nga buxheti i shtetit, pavarësisht se ai nuk ekziston.

Kontrata koncesionare me kompaninë “Integrated Energy” për përpunimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës e nënshkruar në vitin 2017 parashikonte edhe ngritjen e një inceneratori për djegien e plehrave, por inceneratori nuk u ngrit.

Në muajin gusht 2023, inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK. Pas sekuestrimit nga SPAK, kompania Integrated Energy administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara.

Në Shqipëri riciklohen 17% e mbetjeve; Në 2022 u dogjën rreth 5% e tyre

Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, totali i mbetjeve të gjeneruara është ulur rreth 7% në 2022 krahasuar me vitin paraardhës. Rënie kanë shënuar edhe mbetjet e menaxhuara.

Nga 311 kg/banorë që ishte menaxhimi i mbetjeve në 2021 është ulur në 295 kg/banorë në 2022. Rënie është shënuar edhe te mbetjet e pamenaxhuara. Për 2022 sasia e mbetjeve të pamenaxhuara është ulur rreth 9% krahasuar me 2021.

Por sipas të dhënave të Eurostat mbi trajtimin e mbetjeve në Europë, për vitin 2022, nga 295 kilogramë mbetje për banorë që u gjeneruan , vetëm 13 kg për frymë ose 4.4% e totalit të tyre u eliminuan me djegie në inceneratorë ose në fushë të hapur.

Pavarësisht nivelit të ulët të përpunimit të mbejtjeve përmes djegies, shumat që shpenzohen nga buxheti për këtë incenratorët janë të larta. Vetëm në periudhën janar-24 korrik 2024 janë çelur nga buxheti i shtetit 700 milionë lekë si pagesa për Integrated Energy BV SPV, kompaninë që menaxhon inceneratorin.

Të dhënat e thesarit që u gjeneruan nga Open Data Albania tregojnë se që nga fillimi i vitit deri me datën 18 korrik ndaj inceneratorit që tashmë administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara janë kryer rreth 36 transaksione me një shumë që kalon 6.9 milionë eurosh.

Kjo vlerë përfaqëson pagesat nga bashkitë e Tiranës, Kamzës, Durrësit dhe Kavajës për transportin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Përpunimi i mbetjeve i kushton më shumë Bashkisë së Durrësit. Kjo Bashki përbën një rast unik se si mbi gjysmën e të ardhurave që ajo mbledh vetë e shpenzon vetëm për një zë, për mbrojtjen e mjedisit (kryesisht pastrimi mbeturinave).

Në vitin 2022, të ardhurat e veta të Bashkisë (nga taksat e tarifat e taksat e ndara) ishin 1.53 miliardë lekë, me rënie 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Co-Plan.

Qytetet kryesore të vendit përballen njëherazi me kosto të larta të trajtimit të mbetjeve dhe ndodhen para një emergjence mjedisore, pasi mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Tiranë po grumbullohen në landfillet pranë inceneratorëve që nuk punojnë.

Në vitin 2023 Bashkia e Kavajës dhe ajo e Durrësit çuan 27 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për pastrimin e mbetjeve, dhe kishin peshën më të lartë të shpenzimeve për këtë zë nga të gjitha bashkitë e tjera.

OECD: U investua për inceneratorët në kurriz të riciklimit

Në një analizë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi mundësitë e Shqipërisë për adoptimin e ekonomisë qarkulluese theksohet se ndërtimi i inceneratorëve në Shqipëri është bërë në kurriz të industrisë ricikluese, pasi në vend nuk ekziston ndarja e mbetjeve në burim.

Studimi ve në dukje se vetëm 17% të mbetjeve bashkiake në vend riciklohen (krahasuar me 48% që është në Bashkimin Europian) dhe metoda kryesore e menaxhimit të mbetjeve është depozitimi i tyre në landfille.

“Impianti i parë i djegies në Shqipëri filloi të funksionojë në vitin 2019 në Elbasan, i cili trajtoi përreth 2% të mbetjeve për qëllime energjetike në 2021. Dy inceneratorët e tjerë në Fier dhe Tiranë ende nuk janë vënë në punë.

Sidoqoftë, investimet në impiantet e djegies së mbetjeve nuk duhet të bëhen në kurriz të industrisë së riciklimit në Shqipëri dhe nuk duhet ta largojnë vendin nga përafrimi me parimin e hierarkisë së mbetjeve të acquis të BE-së, riciklimin e mbetjeve në modelin e ekonomisë rrethore” thuhet në studimin të OECD-së.

Në Shqipëri, ka rreth 30 kompani private riciklimi, të cilët kanë kryer rreth 230 milionë euro investime.

Kapaciteti i kombinuar përpunues i këtyre kompanive është rreth 500 000 tonë/vit, që është më se i mjaftueshëm për të përpunuar të gjitha mbetjet e riciklueshme të krijuara në ekonominë e vendit.

Megjithatë, për shkak të mungesës së lëndës së parë, kompanitë kanë raportuar se punojnë me rreth 25% të kapacitetit të tyre prodhues dhe riciklojnë rreth 10% të totalit të mbetjeve bashkiake të krijuara./MONITOR

You may also like