Është dënuar me 10 muaj e 20 ditë burgim Ymer Marku, ish-kryetari i komunës së Bërxullës, ndaj të cilit prokuroria e Tiranës ngriti akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Marku, u arrestua nga policia e Tiranës në 15 Prill 2024, pas urdhrit të lëshuar nga prokurori, Adriano Dyrmishi. Por tashmë ai është liruar nga qelia, duke e konsideruar të përfunduar dënimin. Vendimi për dënimin e ish-zyrtarit të PD në komunën Bërxullë, është dhënë nga gjyqtarja e Tiranës, Oltjona Goxha, e cila fillimisht deklaroi fajtor dhe dënoi me 1 vit e 4 muaj Ymer Markun.
Advertisements
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje dënimi duke u dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burgim. Njëherësh në këtë dënim, gjykata ka aplikuar dhe pezullimin e mbajtjes së funksioneve publike për një periudhë dy vjeçarë për Ymer Markun. Ndërkohë, përmes këtij vendimi fajtor është deklaruar dhe ish-kryetari i komunës Bërxullë, Agim Loci, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 10 muaj burgim, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Advertisements
Ky dënim me burgim është pezulluar nga gjykata duke urdhëruar që Loci ta vuajë dënimin me kushtin që brenda një afati 6 mujor të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale dhe mos shoqërohet me persona të dënuar. Më të njëjtën masë dënimi me 10 muaj burgim është dënuar dhe Kujtim Balliu, I cili akuzohej për “Shpërdorim detyre”. Ndërsa Kujtim Allmeta është dënuar me 4 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Por edhe ky dënim me burgim është pezulluar nga gjyqtarja Oltjona Goxha, e cila ka vendosur që kohën e mbetur të vuajtjes së dënimit Kujtim Allmeta, ta vuajë me shërbim prove.
Ky është vetëm rasti i parë i dokumentuar nga prokuroria e Tiranës për tjetërsimin e pronave, pasi ka dhe raste të tjera që janë kallëzuar kundër ish-kryetarit të Komunës, “Bërxullë”, Ymer Marku dhe që po hetohen nga prokuroria. Në dosjen e prokurorisë thuhet se zyrtarët lejuan përvetësimin e 7500m2 tokë me dokumente të falsifikuara. Ndaj tre ish-kryetarëve të komunës Bërxullë është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe për përfituesin Kujtim Allmeta, u ngrit akuza e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Sipas prokurorisë, Ymer Marku, Kujtim Balliu dhe Agim Loci në bashkëpunim me njëri-tjetrin, lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë në Bërxullë nga Kujtim Allmeta, i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë, tek Arbër Abazi, nip i deputetit Sadri Abazi. Bazuar në veprimet hetimore, deklarimet e marra, provat e mbledhura dhe ekspertimi i kryer, prokuroria arriti në konkluzionin se Allmeta ka kryer krimin e falsifikimit me pasoja të rënda për personat e tretë.
Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ai është pajisur me çertifikatë pronësie për pasurinë në Bërxullë 7500m2 dhe më pas në vitin 2020 e shiti duke përfituar shumën prej 10.000.000 lekësh. Po kështu, nga hetimet rezultoi se të pandehurit, Ymer Marku, Kujtim Balliu dhe Agim Loci, konsumuan veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin. Këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.
Kujtim Balliu, nga muaji korrik 2011 deri në shtator 2015 ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Komunën Bërxullë, duke ndërvepruar me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre dhe ish-kryetarin e Komunës dhe punonjësin tjetër, përpiloi shkresat për regjistrimin e pasurisë në emër të Allmetës pa kryer verifikimin e dokumentacionit. Me kërkesë të prokurorisë, 7500 m2 tokë e përfituar me dokumente të falsifikuara është sekuestruar.