U godit 6 herë me thikë, si ndodhi sherri i përgjakshëm mes nxënësve afër “Fan Nolit”! Kush është viktima 14-vjeçar! Çfarë thanë dëshmitarët

by editor

Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën, ku një 14-vjeçar mbeti i vdekur pas një sherri me thika mes adoleshentëve pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.

Advertisements

I mituri humbi jetën në spital, ndërkohë që shoku i tij, Luis Meçja, vijon të jetë në spital pasi ka marrë edhe ia plagë thike. Por u tha se pas asaj përleshjeje të dhunshme, edhe një tjetër bashkëmoshatar i tyre përfundoi në një spital privat, i cili dyshohet të jetë një nga autorët e sulmit brutal. Gjithçka mendohet se ka nisur në rrjetet sociale, ku është përcjellë më pas në ambientet e shkollës, por policia dhe prokuroria nuk kanë bërë me dije asnjë shkak ende, duke e lënë ngjarjen vetëm në statistikat e vrasjes dhe të të plagosurve. Por faktet e pasngjarjes janë të frikshme.

Advertisements

Dëshmitarë okularë të ngjarjes së rëndë dëshmojnë se ambulanca është vonuar, që policia është vonuar, që fëmija me pak shenja jete është nisur për në spital nga një makinë rastësore, në drejtimin e së cilës ka qenë një grua. Që në momentin kur ka nisur përleshja askush nuk ka hyrë mes fëmijëve t’i ndante, ndërkohë që në shkolla flitet për praninë e përhershme të një oficeri sigurie, flitet për paketa sigurie, për psikologë dhe punonjës socialë.

NGJARJA

Martin Cani, 14-vjeçar, ishte nxënës i shkollës “Fan Noli”, por ai ishte i aktivizuar edhe me futbollin, në klubin e “Dinamos” me moshat. Djali që kishte ëndërr të bëhej futbollist bashkë me shokun e tij, bien pre e një sulmi brutal të bashkëmoshatarëve të tyre. Ndonëse policia ka bërë me dije se në sherr janë përfshirë vetëm 4 nxënës, në fakt dëshmitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se kanë qenë të paktën 7 fëmijë, ku i bie që grupi i dhunuesve të kenë qenë të paktën 5 persona. Grupi që ka sulmuar, fillimisht është përleshur me dy djemtë, Martinin dhe Luisin dhe më pas kanë nxjerrë thikat, duke e goditur Martinin disa herë në pjesën e barkut, ku një goditje fatale iu ka dhënë në zemër. Djali u mor i gjallë nga vendi i ngjarjes nga një grua, e cila më pas tregoi detaje rrëqethëse, ku edhe pas ngjarjes, ajo tregoi se atletet e Martinit i kishte në makinën e saj. Ngaqë ambulanca po vonohej, kjo edhe për shkak të trafikut të çmendur që pllakos Tiranë çdo ditë, gruaja e ka marrë të miturin para duarsh, e ka vënë në mjetin e saj dhe është nisur drejt spitalit. Ka komunikuar me të, duke i dhënë forcë e shpresë, por nuk ishte e thënë.

Më pas në rrugë e ka dorëzuar në ambulancë, ku infermieri i pranishëm ka tentuar ta mbajë në jetë. Martini nuk ia doli dot, ndërron jetë sapo mbërrin në spital! Ngjarja tronditi mbarë opinion publik, ndërkohë një debat i ashpër u shënua edhe në parlament teksa deputetja Ina Zhupa kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit. Zhupa e hapi çështjen në kulmin e debatit për buxhetin, ndërkohë që përgjegjësja e dikasterit i qëndroi fort idesë së mospërhapjes së gjuhës së urrejtjes. Por, Zhupa lëshoi akuza të forta në lidhje me dështimin e të gjithë asaj që qeveria e konsideronte më herët ‘paketa e sigurisë në shkolla’. Për ngjarjen reagoi Presidenti i Republikës, Ministria e Arsimit, Partia Demokratike e shumë përfaqësues të politikës. Por vrasja e Martinit është një kambanë alarmi që në fakt, që prej ditëve të para të fillimit të vitit të ri shkollor dha shenjat e para. Në disa shkolla të vendit u shënuan konflikte të dhunshme, ku nxënësit rezultonin të ishin të armatosur me sende të forta deri të mjete mprehëse.

REAGIMI I PRESIDENTI BEGAJ

Për ngjarjen e rëndë reagoi edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili përcolli ngushëllim për familjen dhe bëri apel për reflektim të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri. “Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, – shkruan Begaj duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit. Gjithashtu Presidenti Begaj bën thirrje për rikthimin e shoqërisë shqiptare te vlerat dhe distancimin nga modelet e dëmshme që u ofrohen sot fëmijëve dhe të rinjve. “Si shoqëri kemi një sfidë të madhe përpara: të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën ‘online’, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë. Fëmijët dhe të rinjtë tanë”, – shprehet Begaj – meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.

NGJARJA, REAGON EDHE MINISTRIA E ARSIMIT

Ministria e Arsimit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me ngjarjen që tronditi kryeqytetin, ku u vra 14-vjeçari, si pasojë e një sherri me thika në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot (dje) në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje. Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë” u tha mes të tjerave në deklaratë.

VRASJA, REAGON PD

Krimi i ndodhur në Tiranë, që i mori jetën një 14-vjeçari pas përleshjes mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, është bërë objekt edhe i debateve dhe përplasjeve parlamentare në Kuvend. Opozita kërkoi që për krimin e ndodhur në Tiranë, të japë dorëheqjen ministrja e Arsimit E para ka qenë deputetja e PD-së, Ina Zhupa, që e nisi fjalën e saj duke folur për ngjarjen tragjike dhe duke vënë në pikëpyetje sigurinë në shkolla, teksa në sallë diskutohej buxheti i shtetit. Teksa Zhupa u shpreh se, “ky ishte rezultati i sigurisë në shkolla dhe buxhetit të mazhorancës”, – ka ardhur edhe përgjigjja nga ana e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, që shprehu keqardhjen, duke kërkuar që edhe në Kuvend të ndalet gjuha e urrejtjes dhe të promovohen vlerat. Ina Zhupa tha se “një 14-vjecar është vrarë para derës së shkollës ‘Fan Noli’.

E kuptoni sa jashtë realitetit është buxheti juaj që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla? Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetë propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu. Është rritur siguria në shkolla thotë Manastirliu. Ky është rezultat i punës tënde të mrekullueshme dhe e buxhetit tuaj të mrekullueshëm. Duhet të mbani përgjegjësi bashkë me këtë ministrin e brendshëm, që nuk ka ardhur fare sot! Manastirliu duhet japësh dorëheqjen dhe të ikësh me turp nga ky skandal, pasi keni dështuar që me psikologët në shkolla, tek oficeret e policisë në shkolla”!

You may also like