Gazetari Igli Çelmeta në një program televiziv ka folur për operacionet e fundit të SPAK, bazuar në zbërthimin e komunikimeve përmes aplikacionit SKY.
Advertisements
Çelmeta tha se është zbërthyer aktiviteti kriminal i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Gazetari tha se aktiviteti i dy vëlleëzrve që daton nga 2006-2007 në Itali dhe më pas janë forcuar si organizatë kriminale në Europë.
Advertisements
Duke iu referuar të dhënave nga SPAK, Çelmeta tha se dyshohet se organizata kriminale e vëllezërve Çopja ka kryer 6 vrasje, 5 prej të cilave në Elbasan. Ai tha se gjithashtu dyshohet se ata janë të përfshirë edhe në grabitjen e parave në Rinas.
Çelmeta tha se janë 14 vrasje që ata i kanë porositur për të tjerët.
Gazetari tha se operacioni i fundit i SPAK është vijim i atij që nisi kohë më parë që u pagëzua me emrin “Plumbi i artë”.
Çelmeta tha se nga informacionet që ka është vetëm fillimi i goditjes së bandave kriminale, gjyqtarëve, prokurorëve apo politikanëve që kanë përdorur aplikacionin “Sky”.
“Dosjet që i janë dorëzuar SPAK nga partnerët mund të konsiderohen si minë me sahat, pasi aty ka emra prokurorësh e gjyqtarësh. Kemi rastin e Kreut të Prokurorisë së Vlorës që doli i implikuar. Një rast që tregon lidhjet e ngushta që ka pasur krimi me personazhe të drejtësisë”, tha Çelmeta.
Ai tha se nga zbërthimi i aplikacionit Sky provohet se ky aplikacion është përdorur edhe nga prokurorë dhe gjyqtarë që kanë kaluar Vetting, çka mund të ngrejë pika dyshimi mbi gjithë procesin. “Me zbërthimin e këtij aplikacioni mund të nisë një proces i ri Vetting në vendin tonë”, tha ai.