I vënë nën akuza të rënda në kuadër të dosjes’ Plumbi i Artë’, Erion Alibeaj vijon të japë dëshmi tronditëse përballë trupës gjykuese në GJKKO. Seancën e kësaj të enjteje, Erion Alibej, i njohur si një ndër personat kyç në dosjen “Plumbi i Artë”, po ashtu i njohur edhe me pseudonimin ‘Krymi’, ka dhënë një dëshmi të zgjeruar para trupit gjykues të GJKKO.
Pas të dhënave që dha për vrasjen e Talo Çelës, më tej ai ka zbardhur lidhjet mes trafikantëve shqiptarë në Itali, Holandë e Angli, si Suel Çela, Arjan Spahiu, Hajdar Çopa dhe Sokol Sanxhaktari.
Alibej rrëfen konfliktet mes tyre, borxhet për drogë dhe garancitë e dhëna mes grupeve kriminale, duke sjellë detaje për herë të parë mbi prapaskenat e trafikut ndërkombëtar dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve në Shqipëri dhe jashtë saj.
Erion Alibej: Endriti kishte bazë edhe në Angli. Unë kisha shumë kohë pa folur dhe pa u takuar me Suel Çelën, për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun dhe trafikun e drogës. Një ditë, Endriti më tha: “Po vjen te shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin”. Unë nuk doja t’i takoja. Sueli e kishte filluar herët trafikun në Itali, ku edhe u arrestua. Në Itali, Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kilogramë kokainë. Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë.
E ndihmova Suelin pas arrestimit, kur ishte në arrest shtëpie. Arjan Spahiu shkoi dhe e mori, hyri nga Franca dhe e nxori. Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokainë. Unë hyra garant për këtë gjë, që të mos i zinte ndonjë problem.
Kur erdhi Sueli te shtëpia me Sokol Sanxhaktarin, Endriti më tha: “Do t’i takojmë, se janë për një cilësi droge”. E takova Suelin, por e përshëndeta ftohtë.
Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar, sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i shlyente. Shkova me kamion. Në fillim qëndrova te xhaxhai, Arben Dylgjeri, sepse nuk e kisha idenë se çfarë pune do të bëja. Kisha mundësi të furnizohesha dhe të shisja kokainë, por hasa vështirësi për të gjetur shtëpi. Hajdar Çopja bënte transport me kuaj, një rrugë shumë e sigurt. Nisjet bëheshin nga Gjermania deri në Belgjikë dhe Holandë.
Në Angli shkova edhe te shtëpia e Franc Çopjas, që rrinte në Tottenham. Ai e kontrollonte punën përmes telefonit. Shkova te një agjenci për shtëpi, mora një banesë dhe fillova të punoja shumë mirë. Arrita të shlyej një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë. Punën e ngrita në nivel të mirë dhe të madh, aq sa rashë në sy dhe nisi të përmendej emri im. Ishte kohë krize, sepse nuk kishte shumë mall, ndërkohë që kapeshin shumë dërgesa.
Punoja me shumë shqiptarë atje. I pari me të cilin bashkëpunova ishte një Ylli nga Rrogozhina dhe Klodi nga Durrësi. Pas disa kohësh në Angli erdhi një Ilir Lloshi, që merrej me organizimin e punës për Hajdar dhe Franc Çopjan. Më tha që Franc Çopjas i kishte ndodhur një problem me transportin e kuajve të drogës – i ishte kapur një ngarkesë.
Bëra dokumente të falsifikuara greke me emrin Kristadhio. Më ndihmuan Çopjat.