Të shtëna me armë jashtë një kazinoje: Vritet një person teksa po filmohej direkt në Youtube

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur të dielën mbrëma në zonën turistike të Las Vegasit, pranë shatërvanëve të njohur të Bellagio-s. Ngjarja u regjistrua në një transmetim të drejtpërdrejtë në YouTube dhe ka rezultuar deri më tani me të paktën një viktimë.

Sipas mediave amerikane, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 me orën lokale. YouTuberi i njohur si Finny Da Legend po realizonte një transmetim live teksa ecte përgjatë “Las Vegas Strip”, i shoqëruar nga një grua. Gjatë videos, një tjetër person, i dyshuar të jetë gjithashtu YouTuber me pseudonimin SinCity-MannyWise ose i lidhur me kanalin Sin City Family, u shfaq për pak çaste në sfond, por u kthye sërish pak më vonë, duke hyrë në një debat të ashpër verbal me gruan që shoqëronte Finny-n.

Vetëm disa sekonda pas debatit, burri nxori një armë zjarri dhe qëlloi disa herë. Transmetimi live ka regjistruar të paktën shtatë të shtëna, ndërsa kalimtarët filluan të iknin me vrap dhe të bërtisnin në panik. Pamjet tregojnë se gjatë kaosit, gruaja që ndodhej me YouTuber-in mund të ketë rrëzuar kamerën dhe ende nuk është e qartë nëse ajo është mes viktimave. Në rrjetet sociale është përfolur për një të plagosur të dytë, por autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht numrin apo identitetin e viktimave. Hoteli dhe kazinoja Bellagio u evakuuan menjëherë pas incidentit, ndonëse policia ka sqaruar se të shtënat nuk ndodhën brenda ambienteve të kazinosë, por në një zonë të hapur pranë saj.

Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit (LVMPD) reagoi me një njoftim për publikun:
“Po reagojmë ndaj një incidenti me të shtëna armësh në bllokun 3600 të S. Las Vegas Boulevard. Të shtënat nuk kanë ndodhur brenda një kazinoje. Ju lutemi shmangni zonën.”

Forca të shumta policore dhe njësi emergjente janë dislokuar në zonën e ngjarjes. Deri tani nuk është konfirmuar asnjë arrestim, ndërsa identiteti i autorit të dyshuar nuk është bërë publik.

Hetimet janë në vazhdim. Policia u bën thirrje qytetarëve që kanë informacione ose materiale të ngjashme video, të kontaktojnë menjëherë me autoritetet lokale. Gjendja e viktimave nuk është bërë ende e ditur, ndërsa priten detaje të tjera në orët në vijim.