Të paktën 45 episode vetëlëndimesh, protesta dhe tentativa për vetëvrasje janë raportuar që prej nisjes së funksionimit të Qendrës së Riatdhesimit në Gjadër, strukturë e ngritur në kuadër të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Sipas të dhënave të mbledhura nga burime jozyrtare dhe vizita të deputetëve, rezulton se qendra ka pritur rreth 80 persona gjatë muajve të fundit, megjithatë shifrat zyrtare mungojnë, dhe as parlamentarët nuk mund t’i aksesojnë ato. Nga dëshmitë e atyre që kanë hyrë në qendër, përshkruhet një realitet shqetësues psikologjik. Pyetjet më të shpeshta nga të ndaluarit janë “çfarë dite është?” dhe “çfarë ore është?”, shenjë e humbjes së ndjesisë për kohën dhe realitetin. Mediat italiane raportojnë se përdorimi i barnave psikotrope ka ndikuar rëndë në gjendjen mendore të të ndaluarve.
Qendra përshkruhet si një strukturë e pastër, sterile, por e ngjashme me një distopi ku mungesa e komunikimit dhe izolimi i thellë krijojnë kushte të rënda psikologjike. Edhe pse objekti është i ri dhe infrastrukturisht i rregullt, ai qëndron larg syve të publikut dhe mediave. Vizitat e deputetëve dhe eurodeputetëve janë të rralla dhe shpesh përballen me vonesa të qëllimshme për hyrje. Ndodhur 55 kilometra larg aeroportit të Tiranës dhe 22 kilometra nga bregdeti, qendra në Gjadër është kthyer në një institucion të padukshëm, por me pasoja serioze humane për të ndaluarit që jetojnë brenda saj. Në mungesë të të dhënave zyrtare dhe transparencës institucionale, mbeten pyetje të hapura për natyrën e trajtimit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në këtë qendër që ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare.