ASH përmes QKPISH përmbyll procesin e trajnimeve dhe testimit profesional të specialistëve të informacionit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes Qendrës për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH), përmbylli procesin e trajnimeve dhe testimit profesional të specialistëve të informacionit. Trajnim ky si pjesë e strategjisë për forcimin e infrastrukturës së informacionit shkencor dhe rritjen e transparencës në kërkimin akademik në vend.

Pas përfundimit të këtyre fazave intensive të përgatitjes, specialistët u pajisën me licensat (lejet) për përdorimin e platformave ECRIS.AL dhe COBISS.AL, dy sisteme kyçe për menaxhimin dhe vlerësimin e veprimtarisë shkencore në Shqipëri. Specialistët e informacionit, duke përfshirë edhe stafin e Bibliotekës Shkencore të Akademisë së Shkencave, janë tashmë të certifikuar dhe të licensuar për përdorimin e këtyre platformave, të cilat shërbejnë si mjete thelbësore për përhapjen e informacionit shkencor.

ASH shprehet se ky hap përforcon aftësitë profesionale të stafit dhe është një fazë e rëndësishme drejt digjitalizimit dhe integrimit të plotë të Shqipërisë në rrjetet ndërkombëtare të informacionit shkencor. Informacioni i plotë i digjitalizuar krijon mundësinë për përfshirje në projekte bashkëpunimi për një akses të hapur të kërkimit shkencor në nivel ndërkombëtar. Nëpërmjet këtij procesi, Akademia e Shkencave shprehet se synon të rrisë vizibilitetin, bashkëveprimin dhe aksesin më bashkëkohor të veprimtarisë kërkimore ndaj dijes dhe kërkimit shkencor.

Përdorimi i sistemeve ECRIS.AL dhe COBISS.AL do t’u mundësojë specialistëve të realizojnë: digjitalizimin e veprimtarisë kërkimore të studiuesve të Akademisë dhe institucioneve kërkimore sipas standardeve ndërkombëtare; menaxhimin e bibliografive online të kërkuesve shkencorë dhe vlerësimin e rezultateve të kërkimit; ofrimin e metadatave për ndërveprimin e të dhënave dhe rezultateve të kërkimit; promovimin dhe aksesin e prurjeve shkencore. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm midis Akademisë së Shkencave dhe institucioneve partnere që mbështesin zhvillimin e infrastrukturës digjitale në fushën e shkencës