Zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës? Zbardhen detaje nga takimi i Ramës me socialistët në selinë rozë

Edi Rama mbërriti paraditen e kësaj të enjteje, në selinë e PS nga ku ka marrë një tufë me trëndafila të kuq për 61 vjetorin e lindjes. Kjo ditëlindje e gjeti kreun e PS në punë në një takim me deputetët e qytetit Tiranë. Ky takim është vazhdim i atij të djeshmit me drejtorët e Bashkisë Tiranë dhe deputeten e zgjedhur më 11 Maj.

Shumica e deputetëve aktualë ishin dje në sallën e Parlamentit dhe e patën të pamundur pjesëmarrjen në mbledhjen me drejtorët e bashkisë. Gazetari i TCH Muhamed Veliu, mëson se Rama ka kërkuar angazhim të deputetëve aktualë të Tiranës në mbledhjen e problemeve në çdo njësi të Tiranës. Burime nga kjo mbledhje tregojnë se Rama ka prekur edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Tiranë.

“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë”, citohet të ketë thënë Rama.

Kjo pikëpyetje e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë lidhjet edhe me një zhvillim të pritshëm se çfarë do të vendosë Gjykata e Lartë për apelin e kërkuar nga Erion Veliaj. Rama dje në takimin e drejtorët e bashkisë, kërkoi bashkim forcash mes tyre dhe deputetëve të rinj e të vjetër të cilët do të ndahen me grupe pune në terren për të observuar e mbledhur problematikat e qytetarëve.