Ilirjan Selmani nuk kishte lidhje intime me Kozeta Toçen? Zbulohen detaje nga krimi në Pogradec

Gjykata e Korçës, caktoi sot masën arrest në burg për 31-vjeçarin Ilirjan Selmani, i cili akuzohet se masakroi me thikë të dashurën e tij, Kozeta Teço 52-vjeçare dhe i vuri zjarrin banesës së saj në Pogradec.

Avokati i Ilirjan Selmanit, Denis Mekolli, në një prononcim për mediat zbuloi detaje nga seanca gjyqësore. Ai tha se klienti i tij nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit, teksa ka shprehur keqardhje për viktimën. Gjithashtu 31-vjeçari, sipas avokatit, ka mohuar se ka bashkëjetuar me Kozeta Teçon.

“Fillimisht dua te shprehim një ndjese për viktimën, pavarësisht nëse është apo jo i mbrojtur nga unë autori i veprës penale, por si qytetar i Pogradecit i shpreh familjes ngushëllimet e mia për humbjen e saj.

I mbrojturi nga unë në asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë e kryerjes se veprës penale, as në polici as para gjykatës dhe as gjatë gjithë procedurës të pyetjeve të bere ndaj tij. Ka mbajtur një qëndrim që ka të bëjë me personalitetin e tij. Ai është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryej një krim kaq të rëndë.

Edhe faktin e bashkëjetesës me viktimën ai nuk e ka pranuar. Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës pra si një njohje shoqërore apo çdo lloj njohje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në kodin e familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi më rastet e bashkëjetesës.

Prokuroria ka paraqitur një sërë provash për të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojtur prej meje si autor i kësaj vepre penale nuk ka. Kjo është bindja jonë deri në këto momente.

Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën duke qenë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të. Nuk mund të prononcohem për provat e garantuara deri në këto momente, ai është një sekret hetimor që i përket prokurorisë, gjykatës dhe mbrojtjes.”- tha avokati.