Lidhur me sherrin orët e para të mëngjesit të 31 korrikut në plazhin e Borshit, policia ka dalë me një komunikatë, ku njofton arrestimin e autorit të dyshuar të plagosjes me armë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:20, pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh., 33 vjeç, të cilin e ka plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.
Pas ndërhyrjes së policisë dhe hetimeve të shpejta, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Njoftim i Policisë:
Më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.
Vijon puna për për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në konflikt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.