Një aksident tragjik ka ndodhur të hënën, më 18 gusht, në autostradën Egnatia, në segmentin Komotini–Ksanthi, duke marrë jetën e tre shqiptarëve dhe duke plagosur një tjetër. Ngjarja ndodhi gjatë kthimit nga një dasmë, duke shndërruar një udhëtim të gëzuar në një tragjedi që tronditi komunitetin shqiptar në Greqi.
Emrat e viktimave dhe i të plagosurit:
Viktor Bushi, 59 vjeç, banues në Metamorfosi, Athinë.
Klarenc Kacaj, 61 vjeç, banues në Dhrapecona, Athinë.
Marianka Bushi Aliraj, 57 vjeçe.
Mardalena Kacaj, 49 vjeçe, ndodhet e plagosur në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ajo ishte ulur në sediljen pas drejtuesit të automjetit dhe u nxor nga kalimtarët që iu erdhën në ndihmë.
Rrethanat e aksidentit
Ngjarja ndodhi mesditën e së hënës, rreth orës 12:00, kur një kamion u përplas me dy automjete të ndalura në radhë, që ishin pjesë e një kolone prej rreth 600 metrash pranë pikës së pagesës së Iasmos. Përplasja shkaktoi një zjarr të madh, i cili përfshiu automjetet dhe për pasojë humbën jetën tre persona.
Një nga automjetet mbante katër persona: tre humbën jetën dhe i katërti u plagos rëndë, ndërsa automjeti i tretë, gjithashtu me katër pasagjerë, pësoi dëmtime të lehta. Shoferi i kamionit u plagos rëndë dhe u transportua në spital.