Garë e fortë brenda PS-së, emrat që konkurojnë për 5 mandate në Kuvend

Procesi i numërimit të votave të diasporës për kandidatët në listat e hapura ka përfunduar në tre qarqe: Kukës, Dibër dhe Shkodër. Në qarqet e tjera, numërimi vijon dhe pritet të ndikojë në rezultatet përfundimtare të disa kandidatëve.

Ndërkohë qarqet ku po vijon numërimi janë:

Berat – rreth 8 000
Durrës – rreth 4 600
Elbasan – rreth 12 000
Fier – rreth 9 200
Gjirokastër – rreth 5 300
Korçë – rreth 14 600
Lezhë – rreth 4 200
Tiranë – rreth 14 400
Vlorë – rreth 10 900

Që prej fillimit të nisjes së numërimit për kandidatët është parë një garë e ngushtë mes kandidatëve të PS-së. Në Tiranë, ka një garë të fortë mes Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylametit ku vijon të kryesojë Xhaçka. Garë ka edhe ndërmjet Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë. Rakipi kryeson me 447 vota më shumë.

Në Lezhë, Admir Kadeli shpreson që me votat e diasporës të bëjë rrokadë kundrejt Marjeta Nelës, e cila kryeson me 433 vota. Në Korçë shpreson për një mandat Enslemvera Zake. Ajo ndodhet 476 vota larg Besa Spahos, që për momentin po siguron karrigen në Kuvendin e ardhshëm.

Në Vlorë, ka një garë të ngushtë për mandatin e 9 të fituar nga PS. Vasil Llajo aktualisht është para Klevis Kasës me vetëm 54 vota.

Përfundimi i numërimit të të gjitha zarfeve do të përcaktojë emrat përfundimtarë që do të zënë vend në Kuvend për legjislaturën e ardhshme.