Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg Erdgys Arrazin, i cili akuzohet se përmes dhunës fizike dhe psikologjike nxiti bashkëshorten e tij, Alma Arrazi dhe tre fëmijët ti jepnin fund jetës duke u mbytur në lumin Buna.
Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Arrazin, për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke dënuar Arrazin përfundimisht me 4 vjet heqje lirie.
Ngjarja tragjike e një viti më parë tronditi mbarë opinionin.
Alma Arrazi dhe tre fëmijët e mitur u gjetën të mbytur në lumë, ndërsa fajtor dhe përgjegjës ishte vetëm një, kryefamiljari, Erdgys Arrazi.
HETIMET
Me 3 shkurt te ketij viti, Prokuroria mbylli hetimet ku sqaroi se autor për vrasjen e tre fëmijëve është nëna e tyre, Alma Arrazi, e cila vendosi t’i japë fund jetës bashkë me dy vajzat e moshës 9 dhe 8-vjeç, si edhe djalin 3-vjeçar, mbrëmjen e 2 Majit te vitit te kaluar duke u hedhur në lumin Bunë.
Organi i akuzës kërkoi dënimin me 6 vite burg për bashkëshortin e viktimës, shtetasin Erdgys Arrazi për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së Alma Arrazit.
Sipas prokurorisë, bashkëshorti i viktimës ka kryer sjellje që diskreditojnë dinjitetin e Alma Arrazit duke e detyruar atë të vetëvritet dhe të mbysë edhe tre fëmijët e saj.
Lidhur me të miturit është regjistruar nga prokuroria akuza për vrasje për shkak të cilësisë së veçanta të viktimës.
Për shkak të ndarjes nga jeta të nënës, Alma Arrazi kjo akuzë e dytë është pushuar nga prokuroria e Shkodrës.
NGJARJA
39-vjeçarja Alma Arrazi mori me vete tre fëmijët e saj dhe u hodh në ujërat e lumit Buna në Shkodër duke i dhënë fund jetës.
Tre ditë tragjedisë, një peshkatar gjeti rastësisht trupin e njërës prej vajzave. Më pas në vendngjarje shkuan polumbarët e forcave RENEA nga Tirana, të cilët pas disa ditësh kërkime arritën që të gjejnë në vende të ndryshme trupat e tjerë, të nënës dhe dy fëmijëve të mbytur në ujë.
Policia pas kësaj ngjarje të rëndë arrestoi bashkëshortin e viktimës dhe babain e tre fëmijëve. Erdgys Arrazi ka mohuar se është ai shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes dhe për rrjedhojë edhe i tre fëmijëve të mitur duke thënë se dyshimet dhe akuzat se e ka keqtrajtuar dhe dhunuar psikologjikisht apo fizikisht gruan ishin të pavërteta.