Pas publikimit të një videoje virale që tregonte një moment të tensionuar mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij Brigitte, kreu i Elizësës ka hedhur poshtë çdo aludim për konflikt familjar, duke e cilësuar gjithçka si një keqinterpretim të një shakaje mes bashkëshortëve.
Pamjet u regjistruan teksa çifti presidencial zbriste nga avioni në Vietnam, ku Macron ndodhet për një vizitë diplomatike. Në video, Brigitte shihet duke e shtyrë lehtë Macron-in në fytyrë, një gjest që disa përdorues në rrjete sociale e interpretuan si shenjë tensioni apo konflikti. Macron, nga ana e tij, e kalon situatën me një gjest të qetë, duke përshëndetur mikpritësit.
Në një deklaratë për shtyp, presidenti francez u shpreh:
“Video të pakuptimta. Thjesht po bëja shaka me gruan time, siç bëjmë shpesh. Për mua, kanë kaluar tre javë të ngarkuara nga Kievi në Tiranë e deri në Hanoi. Ka njerëz që mendojnë se kam ndarë një qese kokaine, se kam pasur një përballje me presidentin turk apo se po zihem me gruan time. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë, edhe pse tre videot janë të vërteta.”
Ai theksoi se keqinterpretimet janë bërë të zakonshme, sidomos në një mjedis të mbushur me rrjete sociale dhe manipulime vizuale, duke bërë thirrje për kthim te lajmet e verifikuara dhe serioze.
“Të gjithë duhet të qetësohen dhe të përqendrohen te lajmet e vërteta”, përfundoi Macron.