Nis monitorimi me kamera inteligjente në autostrada, ja zonat ku do të vendosen! Gjoba aplikohet automatikisht

Kujdes! Shumë shpejt autostradat kryesore në vend jo vetëm do të monitorohen me kamera inteligjente, por me implementimin e sistemeve do të nisë edhe gjobitja e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

“Kur ndodh një shkelje rrugore, kamerat inteligjente regjistrojnë automatikisht të dhënat dhe fotot përkatëse. Më pas, këto informacione analizohen nga operatorët dhe i transmetohen Policisë së Shtetit. Kjo e fundit verifikon rastin dhe liron gjobën përkatëse, e cila i shkon drejtëpërdrejt drejtuesit të mjetit në sistemin elektronik të gjobave,” thotë Marin Bezhani – Drejtor i Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut (QKMT).

Por cilat janë pikat që monitorohen aktualisht?

“Monitorimi po kryhet në fazë testimi në disa pika të zgjedhura strategjike, përfshirë: Golemin pranë stacionit të trenit, mbikalimin e Spillesë 1 dhe Spillesë 2, zonën e njohur si ‘Zham Sektor’, si dhe në Bishtin e Zhurit dhe Rrogozhinë. Përveç këtyre, testime po zhvillohen edhe në disa akse të tjera rrugore kryesore në vend.”

Synimi final është mbulimi i 3,650 km që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ndërlidhja me projektin “smart city”.