Autoritetet në Kakavijë kanë sekuestruar 74 240 euro të padeklaruara dhe 15 dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Bëhet me dije se operacioni nisi pas kontrolleve të detajuara në dalje të Shqipërisë, ku një autobus i një agjencie udhëtimi, drejtuar nga shtetasi A.L., u kalua në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm.
Mësohet se me ndihmën e qenit të Policisë, brenda mjetit u gjetën 3 zarfe me para dhe një sërë dokumentesh, përfshirë karta identiteti franceze dhe leje qëndrimi në vende të BE-së.
Gjithashtu bëhet me dije se lidhur me rastin u arrestuan në flagrancë dy persona: A. L., 32 vjeç, drejtuesi i autobusit, dhe K. Gj., 41 vjeç, punonjës i agjencisë, për vepra që përfshijnë mosdeklarim të të hollave në kufi, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Policia thotë se ndaj shoferit të dytë të autobusit, nisi procedim penal në gjendje të lirë, ndërsa pronari i agjencisë u shpall në kërkim. Autoritetet sekuestruan gjithashtu 4 celularë të dyshuar si të përfshirë në veprimtarinë kriminale.