Ligji për kultivimin dhe kontrollin e kanabisit, i miratuar nga qeveria në vitin 2023, është kthyer së fundmi një nga çështjet më me debat, për shkak të dyshimeve për parregullsi në zbatimin e tij.
I ftuar në një studio teleizive, gazetari Armand Maho ngre alarmin për një sërë shkeljesh të mundshme, duke nisur nga mungesa e koordinatave të sakta në vendimet qeveritare, deri te tejkalimi drastik i sipërfaqes së lejuar për kultivim.
Sipas tij, në hartat zyrtare të publikuara nga Agjencia për Mbikëqyrjen e Kanabisit rezulton se janë përcaktuar zona shumë më të mëdha se kufijtë ligjorë, duke tejkaluar me mbi 147 herë kufirin maksimal prej 200 hektarësh në rang kombëtar.
Armand Maho: Ishte 138 zona kadastrale. Në fakt, edhe kur u miratua ligji, edhe unë nuk është se kam qenë shumë i interesuar për këtë ligj, në 2023, nuk është se e njihja shumë mirë dhe mjafton ti referohesh ligjit. Ligji thotë, pika e 6 e tij thotë: deri 4 njësi të kufizuara për çdo licencë. Pra, pika 7 e nenit 14 thotë, sipërfaqe për njësi minimumi 5 hektarë, maksimumi 10. Sipërfaqja totale e lejuar në rang kombëtar, maksimumi 200 hektarë. Ndërkohë ç’ndodh?
Agjencia për Mbikëqyrjen e Kanabisit, kishte nxjerrë një link ku jepte vendimin e qeverisë dhe poshtë ishte dhe ‘ja ku mund ti shihni tokat, së bashku me një ‘username’ dhe një ‘pasuord’. Pra, ta kishe gati. Futej dhe faqja ‘asig’ e Kdastrës. Pra ka opsione që mund të matësh sipërfaqe, gjatësi, gjerësi etj etj.
Pra, mjafton të shkosh atje dhe të bësh një matje të thjeshtë, pikërisht asaj harte për çdo qark dhe çdo zonë. Dhe më rezultoi që sipërfaqja tejkalonte shumë herë ligjin. Ndoshta mund të kem bërë edhe ndonjë gabim. Por sa gabim mund të kem bërë. E paskam bërë 500 hektarë, ja 1 mijë hektarë.
E bukura është që në këtë vendim të botuar edhe në fletoren zyrtare, nuk janë publikuar të sakta as koordinatat. Vendimin e qeverisë, po ta shohësh janë vetëm për dy zona. Pra 8 zona të tjera nuk kanë koordinata. Pra, dukej që ishte një ligj i bërë në nxitim e sipër. Pra, ti të përcaktosh zonat dhe mos të japësh koordinatat, ka diçka që nuk shkon. E dyta, ajo që më habiti ishte tejkalimi i ligjit. Ligji thotë që sipërfaqja totale e lejuar në rang kombëtar, është 200 hektarë. Maksimumi. Që do të thotë, në ato 10 qarqe nuk mund të japësh 20 hektar për qark. Ose për zonë. Pra, edhe sikur brenda këtyre zonave të lejojë vetëm 200 hektarë për mbjelljen e kanabisit, prapë ka tejkaluar ligjin me 147 herë, sepse ti nuk mund të japësh zona të lira më shumë nga se e përcakton ligji.