Një burrë gjendet i pajetë pranë shtëpisë, Policia: Dikush i mori jetën dhe u zhduk

Vrasje në Xibër të Klosit: 65-vjeçari gjendet i pajetë pranë banesës, dyshohet goditje me mjet prerës

Klos, 11 qershor 2025 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Xibër, në njësinë administrative të Klosit, ku është gjetur i pajetë shtetasi Selim Velsula, rreth 65 vjeç.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, trupi i viktimës është gjetur pranë pronës së tij, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga mjet prerës. Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledh prova dhe dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Policia lokale nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi motivet apo autorët e mundshëm, ndërsa mbetet e hapur pista e një konflikti të mundshëm.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e zonës, ndërkohë që hetimet vijojnë në mënyrë intensive.